Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç ka reaguar në lidhje me deklaratat e ndërkombëtarëve që i kanë bërë thirrje Serbisë për lirimin e tre policëve të arrestuar nga forcat serbe.

 

Teksa tha se do të jenë serbët e veriut të Kosovës ato që do të vendosin se si do të veprohet në ditët në vijim, Petkoviç i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të arsyetojë me kryeministrin e Kosovës.

 

Ai edhe sot ka akuzuar Kurtin se dëshiron të nisë një luftë dhe të ndezë jo vetëm veriun, por gjithë rajonin.

 

Më tej ai theksoi se Serbia është shtet ligjor dhe se për lirimin e policëve vendos prokuroria dhe gjykata.

 

“Jemi të shokuar me kërkesat e SHBA-së dhe Britanisë, të cilat kërkojnë nga Serbia për lirimin e policëve të arrestuar dhe askush nuk e përmend faktin se është e nevojshme lirimi i serbëve të pafajshëm. E shihni se çfarë hipokrizie. Nuk vendosim ne se kur do të lirohen policët, ne jemi shtet ligjor, këtë e vendos prokuroria dhe gjykata. Kjo nuk vendoset as nga ambasadat”, tha ai.