Përderisa shërbimet shëndetësore në Francë janë në qendër të kritikave për shkak të mungesës së personelit dhe kushteve të shërbimit, një grua me demencë e cila ishte dërguar në urgjencën e një spitali u gjet e vdekur në një kontejner plehrash në bodrumin e spitalit, dy ditë pas zhdukjes së saj, gjë që shkaktoi reagime.

Sipas gazetës "La Provence", gruaja 85-vjeçare me demencë u soll në dhomën e urgjencës së një spitali në Aix-en-Provence nga vajza e saj Claudine më 23 shkurt, sepse kishte konvulsion. E moshuara, e cila u raportua e zhdukur nga spitali natën e 23 shkurtit, u gjet e vdekur nga vajza e saj në kontejnerin e plehrave në bodrumin e të njëjtit spital më 25 shkurt.

Ngjarja

Claudine, e cila e solli gruan e moshuar në spital, tha se ajo shkoi për të pirë një pije teksa nëna e saj po mjekohej dhe kur u kthye rreth një orë më vonë, nënës së saj në urgjencë i ishte ndërruar vendi. Claudine, e cila u kthye në shtëpi pasi infermierët i thanë se nuk mund ta çonin në repartin ku mjekohej nëna e saj, nga një telefonatë nga spitali mësoi se nëna e saj ishte zhdukur.

Me të mbërritur në spital, Claudine i kërkoi menaxhmentit të shikonte kamerat e sigurisë. Drejtuesit e spitalit raportuan se punonjësi që trajtonte kamerat e sigurisë ishte në pushim dhe se ata nuk kishin fjalëkalimin për të hyrë në kamera.

Claudine filloi të kërkonte nënën e saj të zhdukur duke shpërndarë postime nëpër spital dhe në llogaritë e saj në mediat sociale. Duke vazhduar kërkimin pranë spitalit me kushëririn e saj zjarrfikës, Claudine më 25 shkurt gjeti trupin e nënës së saj në një kontejner plehrash në bodrumin e spitalit.

Incidenti shkaktoi reagime në mediat sociale kurse Prokuroria e Aix-en-Provence nisi hetime. Claudine fajëson spitalin për mos sigurimin e qasjes në kamerat e sigurisë për vdekjen e nënës së saj./aa