Jasir Asani duroi deri në moshën 28-vjeçare për të veshur fanellën e Kombëtares A të Shqipërisë. Mëngjarashi nga Shkupi luajti ndeshjen e dytë në epokën Sylvinho, duke ia dalë të shënojë edhe golin e parë në fitoren 2-0 kundër Moldavisë në grupin E kualifikues të Euro 2024.

 

Nuhatja e brazilianit nuk gaboi, me ish-sulmuesin e Partizanit që në dy ndeshje ka qenë më i miri në fushë, duke dhënë zemrën për ngjyrat dhe fanellën. Prej 2017, kur Asani u bashkua me Partizanin, ai ka dashur të jetë pjesë e kombëtares shqiptare, paçka se ftesa nga Maqedonia e Veriut nuk mungoi në disa raste.

Muaj më parë, Jasiri refuzoi ftesën e trajnerit Bllagoja Milevski për të qenë pjesë e Maqedonisë së Veriut, teksa ky i fundit në një intervistë të fundit ka "qarë" refuzimin.

 

“Për më tej është vendim i tyre, i lojtarëve për të zgjedhur se me cilën përfaqësuese duan të luajnë. Nuk është kontestuese se Jasir Asani ka pasur gjithmonë kualitet për të luajtur, i ofruam gjithçka për të luajtur për Maqedoninë. Ka luajtur për U21 të Maqedonisë, por për më tutje ishte vendim i tij. Jasiri i dëshiroj çdo të mirë dhe shumë suksese në lojërat e përfaqësueses që ai e ka zgjedhur”, tha Bllagoja Milevski, trajneri i Maqedonisë së Veriut në futboll.

 

Pjesë e Guangju në Korenë e Jugut, Asani duket se ka dalë "i duruari i fituari" në këtë histori, teksa në momentin dhe vendin e duhur ka veshur fanellën kuqezi, që duket se do e mbajë si titullar për një kohë të gjatë, kjo nisur edhe nga forma që po kalon.