Elbasani është në festë. Verdheblutë nuk janë mjaftuar vetëm me ngjitjen në Superligë javë më parë, por me fitoren tenistike sot 5-0 ndaj “Tomorit” kanë siguruar edhe titullin kampion në Kategorinë e Parë.

Këtë gjë e arritën falë triumfit 5-0 përballë “Tomorit” brenda në “Elbasan Arena”, edhe pasi Bylisi nuk shkoi më tepër se barazimi 0-0 me Vorën. Një arritje e madhe për të besuarit e Nevil Dedes, që përveç se kanë garantuar ngjitjen në Superiore pas kaq shumë vitesh, mund të paraqiten me petkun e kampionit të Kategorisë së Parë.

Heroi i ndeshjes kundër “Tomorit” ishte Lleshaj i cili shënoi një tripletë, pastaj vend për realizime patën edhe Greca me Klament.

Kjo ka bërë që në Elbasan të nisë festa fillimisht në stadium dhe më pas në rrugët e qytetit. Ky është një rikthim i madh në elitën e futbollit shqiptar që tifozëve elbasanas u kishte munguar aq shumë./ata