Seanca e sotme e mbajtur për Inceneratorin e Fierit është shoqëruar me debate. Ish-deputeti socialist ka hedhur akuza ndaj prokurorisë së Posaçme duke thënë se rikthimi tek akuzat fillestare nga ana e prokurorit Dritan Prençi, duke anashkaluar vendimin e gjyqtares paraprake, tregon se është orkestruar goditja e tij në kuadër të një agjende të caktuar.
Bëhet me dije se ish-deputeti Alqi Bllako ka ndryshuar mbrojtësit ligjor dhe ndryshe nga proceset e mëparshme që kishte si avokat Sokol Hazizaj, në seancën e konkluzioneve të avokatëve, u mbrojt nga Artan Kodheli dhe Eduart Sheko.
Ndërkohë avokat i ish-deputetit Alqi Bllako, Artan Kodheli, ka deklaruar se asnjë organ akuze nuk mund të ndryshojë një vendim të formës së prerë sidomos në këtë fazë të gjykimit.
“Rëndimi i akuzës për Bllakon është i paligjshëm dhe për ti bërë presin gjykatës në momentin e konkluzioneve përfundimtare. KKP e rregullon në mënyrë shteruese qëndrimet që duhet të mbajë prokurori. Gjykata ka konkluduar se për Alqi Bllakon, do të ketë shpërdorim detyre dhe korrupsion aktiv, jo si funksionar i lartë shtetëror. Asnjë organ akuze nuk mund të ndryshojë një vendim të formës së prerë sidomos në këtë fazë të gjykimit. KPP ndalon kategorikisht një vendim të tillë, jemi në një procedim të gjykimit të shkurtuar. S’mund të ketë fakte të reja në gjykim të shkurtuar. Është veprim arbitrar i prokurorit. E akuzon për shpërdorim detyre duke mos cituar asnjë ligj, shkel 10 dispozita ligjore. Prokurori shpërdoron detyrën duke ngritur akuza për shpërdorim detyre. Sekretari i përgjithshëm është funksion i lartë civil”, ka thënë ndër të tjera avokati.
Sakaq avokati tjetër i Alqi Bllakos, Eduart Sheko është shprehur: “Prej 18 muajsh ndjekje inkuizitore ndaj Alqi Bllakos me mjete ekstra-ligjore. Prokurori e ka pranuar këtë kërkesë për saktësim akuze. Nëse ishte kundër, ta ankimonte jo ta linte për ta bërë tani. Ky është një akt i pabesë që bëhet pikërisht në këtë fazë.”
Ndërkohë Elis Bilali, avokati i Arben Dervishajt ka thënë se çështja ndaj Dervishajt duhet të pushohet se ky i fundit është i pafajshëm.
“Prokurori e tregoi qartë se nuk i qëndron akuzës. Jemi para faktit se çështja duhet të pushohet dhe Dervishaj të shpallet i pafajshëm. Ndodhemi në situatë ekstra ligjore të paparashikuar në KPP. Në këtë situatë gjykata duhet të shprehet me vendim”, ka thënë avokati Bilali.