Presidenti Bajram Begaj zhvilloi sot në Shkup një takim me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ku biseduan për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Begaj i uroi Gashit përmbushjen me sukses të angazhimeve në detyrën e re të kryeparlamentarit, ndërsa vlerësoi faktin e përfaqësimit shqiptar në krye të institucioneve drejtuese të Maqedonisë së Veriut.
Gjatë bisedës, u theksua rëndësia e mësimeve nga e kaluara dhe nevoja për të mos përsëritur gabimet.
“Ne, si persona me funksione publike, duhet të kemi kujdes të mos përsërisim gabimet e së shkuarës dhe të punojmë për një të tashme e të ardhme më të mirë”, u shpreh Begaj.
Presidenti Begaj tha se “brezave të rinj duhet t’u lëmë një trashëgimi të përbashkët rajonale, të ndërtuar mbi urat e miqësisë, të cilat, në dallim nga e kaluara, ku urat më shumë shkatërroheshin, tani ndërtohen lart”.
Bashkëpunimi mes dy vendeve u përshkrua si i shkëlqyer, ndërsa u vunë në dukje edhe hapësirat e mbetura për përmirësim.
“Ne duhet të punojmë së bashku si shqiptarë, si maqedonas dhe si qytetarë të këtij rajoni”, tha Begaj, duke theksuar angazhimin për të vazhduar zgjerimin e bashkëpunimit.
Presidenti Begaj shprehu bindjen për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe vazhdimin e projekteve të përbashkëta, me qëllim që rruga e bashkëpunimit, siç u shpreh ai, “nga dy korsi të përbashkëta, të zgjerohet në katër të tilla”./ata