Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta uroi sot kryetarin e ri të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, për zgjedhjen e tij në këtë post.

Meta u shpreh besimplotë se me eksperiencën e tij parlamentare, ai do të dëshmojë lidership gjithpërfshirës dhe bashkëpunues.

“Urimet më të përzemërta dhe shumë suksese Kryetarit të zgjedhur të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi! Besimplotë se me eksperiencën e tij parlamentare, ai do të dëshmojë lidership gjithpërfshirës dhe bashkëpunues, pa dallim etnik e politik, si dhe do të garantojë të drejtat e opozitës në Kuvend dhe pjesëmarrjen e saj të plotë në jetën institucionale dhe demokratike”, theksoi Meta në mesazh.

“Shqiptarët, si faktor shtetformues, të orientuar qartë nga BE dhe NATO, kanë një rol kyç për harmoninë ndëretnike, stabilitetin dhe ardhmërinë evropiane të Maqedonisë së Veriut”, nënvizoi Meta.

Afrim Gashi u zgjodh kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut me 76 vota pro dhe 6 kundër.

Kandidatura e Gashit u votua nga deputetët e VMRO DPMNE-së, të koalicionit VLEN dhe lëvizjes ZNAM, ndërsa kundër ishin deputetët e partisë “E Majta”.

Deri të hënën Gashi ka qenë kryetar i partisë Alternativa, i cili më pas dha dorëheqjen si rezultat i kandidaturës së tij për kryetar të Kuvendit.

Ai ishte deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në dy mandate 2016-2020 dhe 2020-2024./ata