Shumë zona me densitet të lartë urban, vuajnë mungesën e parqeve, lojërave dhe lehtësive sportive.

 

Me synim krijimin e një hapësire publike me cilësi të lartë dhe kushte gjithëpërfshirëse që do të mundësojë ringjalljen e jetës komunitare dhe konsolidimin e frymës së komunitetit aktiv, Fondi Shqiptar i Zhvillimit po zbaton në disa bashki programin kombëtar “Dua të luaj”.

 

Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga projekti i kompleksit të fushave që do të ndërtohen në Berat, pjesë e programit të ri kombëtar.

 

“Kompleks i fushave që do të ndërtohen në Berat, pjesë e programit të ri kombëtar të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, “Dua të luaj”, shprehet Rama në rrjetet sociale.

 

Nëpërmjet këtij programi, FSHZH synon rritjen e mirëqenies së komunitetit dhe dhënien e mundësisë për zhvillimin motorik të brezave të rinj.

 

Projekti do të zbatohet në hapësira publike të destinuara për parqe në zonat e banuara në të gjithë territorin e vendit.

 

Ndërhyrjet në kuadër të këtij projekti konsistojnë kryesisht në projektimin e hapësirave të propozuara në bazë të kushteve arkitektonike dhe natyrore, me qëllim shfrytëzimin sa më të mirë të hapësirave në vendndodhjen e përcaktuar; ndërtimin e këndeve që mundësojnë zhvillim të aftësive motorike të fëmijëve të moshave të ndryshme, dhe që aksesohet nga të gjithë; rimodelimin apo përmirësimin e këndeve të lojërave ekzistues të degraduar, me qëllim rritjen e aksesit dhe bashkëveprimin me elementet natyrorë; si dhe krijimin e infrastrukturave të cilat ndikojnë në sigurinë për grupmoshat 0-14 vjeç, si psh. sinjalistikë në infrastrukturën rrugore, barriera dhe hapësira urbane rrethuese në këndet ekzistuese,etj.