Lidhur me telefonatën e kryeministrit Edi Rama, me drejtuesin e rrjetit publik italian RAI, ka reaguar edhe Komisioni parlamentar i medias, që njihet edhe si Komisioni për Mbikëqyrjen e RAI-t. Ata e cilësojnë telefonatën e Ramës, një ndërhyrje të papranueshme dhe flagrante në lirinë e medias.

Për kryetaren e Komisionit Mbikëqyrës të Rai-t, Barbara Floridia, “është paradoksale që një shef i huaj qeverie ndërhyn drejtpërdrejt tek një menaxher i shërbimit publik pasi është përmendur në një investigim gazetaresk. Edhe nëse kryeministri shqiptar, Edi Rama, do të besonte se ai ishte dëmtuar në një farë mënyre nga investigimi i 'Report', kjo nuk mund të justifikojë në asnjë mënyrë ndërhyrjen e tij të drejtpërdrejtë te Rai. Shpresoj që të ketë një konsensus të gjerë të të gjitha forcave politike në luftën kundër ndërhyrjeve të jashtme në informacion në mënyrë që të mbrohet pavarësia e medias”.

Akoma më të ashpër ishin tre anëtarë të këtij komisioni, Dario Carotenuto, Dolores Bevilacqua dhe Anna Laura Orrico. Ato shprehen se pas presionit të qeverisë së Melonit, tani janë përfshirë dhe krerët e qeverive të huaja, që i referohen kryeministrit Edi Rama.

“Sikur të mos mjaftonte presioni i qeverisë së Melonit ndaj transmetimeve të ‘Report’, tani janë përfshirë edhe krerët e qeverive të shteteve të huaja si kryeministri shqiptar Edi Rama. Le t'i bëjmë Giorgia Melonit një pyetje të thjeshtë: a është normale sipas jush që një drejtues i televizionit publik të kontaktohet drejtpërdrejt nga kryeministri shqiptar për t'u ankuar për një raport gazetaresk? A nuk mendoni se duhet të ndërhyni personalisht për të shmangur atë që duket si një ndërhyrje e panevojshme e kryeministrit shqiptar në lirinë e shtypit dhe pavarësinë e gazetarisë italiane? Nëse i intereson vërtet, siç pëlqen ta thotë shpesh, "sovraniteti i kombit", le t'i flasë mikut të tij Rama dhe t'i thotë se Italia nuk duron dot ngjarje të tilla. Sa i përket RAI-t, kërkojmë që të zbardhet çdo detaj i kësaj çështjeje”, thuhet në deklaratën e tyre.

Reportazhi i emisionit 'Report' në "Rai 3", i publikuar mbrëmjen e 21 prillit ka bërë bujë në Itali dhe Shqipëri, pasi tha se marrëveshja për refugjatët mes Shqipërisë dhe Italisë është hartuar për interesa të errëta. Për realizimin e reportazhit, gazetari italian Giorgio Mottola ka vizituar edhe Shëngjinin ku do të ndërtohen edhe qendrat e pritjes së emigrantëve nga Italia. Sipas reportazhit, përmendet se personi kyç pas kësaj marrëveshje është Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, i konsideruar edhe si një ish-avokat të trafikantëve të drogës. Në reportazh përmendet se krimi ka arritur në nivele të larta të qeverisë shqiptare, madje edhe vetë vëllai i Edi Ramës, Olsi është i implikuar me kartelet e drogës. Sipas televizionit italian më 28 prill do të transmetohet edhe pjesa e dytë e reportazhit investigativ./Dosja