Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot në Kuvend se projektligji “Për sigurinë kibernetike” garanton ngritjen e mekanizmave për mbrojtjen e të dhënave dhe promovimin e përdorimit të teknologjisë me integritet dhe siguri.

Gjatë diskutimit të këtij projektligji në Kuvend, Spiropali u shpreh se “nevojitet një koalicion i madh i vendeve aleate kundër sulmeve kibernetike, ndaj kjo është edhe prioritet në NATO”.

Spiropali theksoi se Shqipëria ka hedhur një hap eksponencial me 98% të shërbimeve online falë teknologjisë, por ky zhvillim vjen me ekspozimet e veta ndaj sulmeve kibernetike.

Sipas ministres, risitë që sjell ky projektligj e bëjnë ekosistemin tonë kibernetik të jetë më i sigurt.

“Projektligji është konsultuar me të gjithë, në konsultime publike në Kuvend e qeveri, por edhe në çdo hap me partnerët tanë, pasi ata kanë investuar për sigurinë kibernetike. Ngritja e kapaciteteve për infrastrukturat kritike të informacionit ka marrë sot rëndësi dhe vëmendje globale”, tha Spiropali.

Sipas saj, “ligji për sigurinë kibernetike është thelbësor për të adresuar këto çështje të rëndësishme dhe për të marrë masa për sigurinë kibernetike”.

Spiropali theksoi se synohet krijimi i një strukture të qëndrueshme ligjore dhe institucionale që synon një nivel të ri mbrojtjeje të të dhënave dhe të promovojë përdorimin e teknologjisë me integritet e siguri.

“E rëndësishme është që të jemi përparimtar në parandalimin dhe ndëshkimin e këtyre aktiviteteve të rrezikshme. Ligji është i përafruar me standardet e BE-së. Sulmi kibernetik me të cilin u përball Shqipëria ka rritur edhe shkallën e ndërgjegjësimit dhe reagimeve tona të përbashkëta. Përafrimi i Aqui-n e fundit të BE-së është detyrim edhe në kuadër të procesit të integrimit”, tha ministrja.

Ajo theksoi se Shqipëria vijon të jetë një target i sulmeve nga grupe të sponsorizuara nga shtete të tjera, ç’ka dikton nevojën për të vendosur një gur themeli për sigurinë kibernetike në ligj.

“Ne përmirësojmë kuadrin ligjor dhe kjo rrit sigurinë e infrastrukturave të rrjeteve të informacionit si dhe sigurinë në disa sektorë të shërbimeve si banka, e-Albania, përfshirë edhe të dhënave personale. Parashikimi dhe ngritja e qendrës kombëtare operacionale të sigurisë kibernetike do të sigurojë një mbulim në nivel kombëtar të mbrojtjes kibernetike”, shtoi ajo./ata