Heqja nga përdorimi në mënyrë graduale e gazeve F është një mundësi e mirë për vendet në zhvillim si Shqipëria, për të përmirësuar cilësinë e ajrit, për të rritur efikasitetin e energjisë dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm.

Kështu u shpreh zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Almira Xhembulla, në fjalën e saj në takimin teknik vjetor për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore mbi zbatimin e protokollit të Montrealit për mbrojtjen e shtresës së Ozonit, organizuar në Tiranë në bashkëpunim me njësinë e Ozonit dhe programin e Mjedisit të Kombeve të Bashkuara (UNEP).

“Shqipëria është angazhuar për zbatimin me sukses të Protokollit të Montrealit dhe detyrimet për reduktimin e përdorimit të Gazeve te Fluoruara nëpërmjet krijimit të një licence të posaçme dhe ngritjen e sistemit të kuotave si pjesë e regjistrit elektronik, i cili do të shërbej gjithashtu për administrimin e të dhënave të importit të këtyre gazeve”, theksoi Xhembulla.

Zv/ministrja Xhembulla u shpreh se “Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me Njësinë Kombëtare të Ozonit po zbaton me sukses projektet e Protokollit të Montrealit, duke përfshirë strategjitë e heqjes nga përdorimi dhe reduktimit te F-gazeve në disa faza, zbatimin e projekteve për forcimin institucional si dhe aktivitetet për krijimin e një inventari të substancave të kontrolluar (gazet e fluoruara) si dhe për të rritur efikasitetin energjetik të pajisjeve ftohëse”.

Xhembulla falënderoi për bashkëpunimin sektorin e ftohjes, auroritetet e Doganës Shqiptare, si dhe mbështetjen e gjatë të ofruar nga UNDP, UNIDO, UNEP dhe agjenci të tjera të OKB-së.
 
Zv/ministrja Xhembulla shprehu angazhimin për të mbështetur biznesin në sektorin e ftohjes në tranzicionin drejt gazeve ftohëse me potencial më të ulët të ngrohjes globale, per të bashkuar përpjekjet për mbrojtjen e mjedisit, shëndetit dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike.
 
“Së bashku, ne kemi fuqinë për të luftuar ndryshimet klimatike, për të mbrojtur shtresën e ozonit dhe për të mbrojtur planetin për brezat e ardhshëm”, tha Xhembulla./ata