Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka zhvilluar sot një takim me banorë të zonës së “Xhamllikut”, “Selitës” dhe te “5 Maji”, ku prezantoi projektet që do të realizohen pas 14 majit.

 

Për urbanin falas, që qytetarët sipas tij, e cilësojnë një gjë të mrekullueshme, Këlliçi tregoi se ky angazhim i kushton fare pak buxhetit të bashkisë, ndërsa i shërben qytetarëve.

 

“Një gjë e mrekullueshme është për qytetarin urbani falas. Ata e dinë që është për të mirën e qytetarit. Janë mësuar ta luftojnë qytetarin, sepse ka shumë qytete në botë që janë pa pagesë. TEG-u dhe QTU-ja e kishte autobusin falas. Si ka mundësi që një biznes ta bëjë autobusin falas, dhe bashkia me gjithë ato të ardhura mos ta bëjë”, u shprehën dy banorë.

 

“246 milionë euro është buxheti i bashkisë. Autobusi falas kushton 16.5 milionë euro. 246 mollë është buxheti, 16.5 mollë është autobusi”, – tha Këlliçi.

 

Në zonën e Xhamllikut, një ndër problemet që u ngrit si shqetësim nga qytetarët, ishte dhe çështja e parkingut.

 

Këlliçi përsëriti angazhimin e tij, që këtij problemi t’i japë zgjidhje pas 14 majit, duke vënë në dispozicion të qytetarëve pa pagesë, 30 % të parkingjeve që aktualisht janë me pagesë. Ai premtoi edhe ndërtimin e parkingjeve të reja në qytet.

 

“Do të shohim dhe mundësinë e parkimeve nëntokësore, në vende të caktuara, apo dhe të ndërtimeve me objekt vetëm parkimin e makinave”, u shpreh Këlliçi.

 

Gjatë takimit me banorët në Selitë, Këlliçi ka hasur sipas tij dy raste vjedhjesh.

 

Një rast flagrant, sipas tij, ishte ai i vendosjes së dy tabelave për punime në rehabilitimin e disa rrugëve të brendshme, ku tabelat dukshëm nuk përmbushnin detyrimin ligjor me informacionin e nevojshëm për afatet e punimeve. Shtuar këtu edhe faktin, që në rrugë, ndonëse ishte vendosur shkresa e tenderimit të punimeve, në terren nuk kishte asnjë makineri.

 

“Kjo tabelë këtu është vjedhje. Këtu vidhen lekët tuaja”, tha Këlliçi.

 

Nga Selita, ku tha se mori denoncime për gjobëvënien nga policia bashkiake, Këlliçi, u angazhua që pas 14 majit, kjo polici të kthehet në shërbim të qytetarëve dhe jo në gjobëvënëse të tyre.

 

Pas takimeve në zonën e “Xhamllikut” dhe të “Selitës”, Belind Këlliçi takoi qindra qytetarë të zonës së “5 Majit”, mes të cilëve nënë Lizën dhe banorë të tjerë.

 

Këlliçi përsëriti angazhimin e tij, që pas 14 majit, banorët, të cilëve iu është shembur banesa nga bashkia e Tiranës, do të dëmshpërblehen me vlerën e tregut për pronën e tyre, ndërsa dha fjalën, se në vijim banesat e banorëve të tjerë nuk do të preken.