Ekipet e kërkim-shpëtimit janë në garë me kohën për të gjetur një nëndetëse turistike që u zhduk në Atlantikun verior ndërsa po zhytej në rrënojat e Titanikut.

 

Roja Bregdetare e SHBA tha se “një nëndetëse e vogël me pesë persona në bord” ishte zhdukur në afërsi të mbytjes së Titanikut dhe se anija kishte kapacitetin të zhytej për 96 orë, por ishte e paqartë nëse ishte ende nën ujë apo kishte dalë në sipërfaqe.

 

Nëndetësja u raportua të hënën, por kontakti humbi 1 orë e 45 minuta pas zhytjes së saj të dielën pasdite, tha roja bregdetare.

 

Edhe pse të pakta, ende ka shpresë për të gjetur të gjallë 5 personat që ndodhen në bordin e nëndetëse, pasi sipas ekipeve të kërkim-shpëtimit, janë dëgjuar zhurma për orë të tëra, por ende nuk ka shenja të të zhdukurve.

 

Sipas mediave të huaja, në deklaratën e Rojes Bregdetare të SHBA-së nuk specifikohet se çfarë mund të kenë qenë zhurmat e dëgjuara. Megjithatë, kjo deklaratë jep shprese për 5 personat në nëndetësen e zhdukur, pasi sipas ekspertëve mendohet se u ka mbetur oksigjen edhe për një ditë, nëse nëndetësja është ende në funksion.

 

Sipas ekipeve të kërkim-shpëtimit janë dëgjuar zhurma për orë të tëra, në intervale prej 30 minutash dhe 4 orë më vonë janë dëgjuar sërish zhurma po në të njëjtën zonë.

 

Ekipet e kërkim-shpëtimit po përpiqen të gjejnë nëndetësen turistike që u zhduk, rrugës për në rrënojat e Titanikut. Kontakti me nëndetësen Titan humbi një orë e 45 minuta pasi u zhyt të dielën pasdite.

 

Sipas OceanGate, bëhet fjalë për një nëndetëse 6.7 metra e gjatë dhe me peshë mbi 10 ton, e cila mund të zhytet në një thellësi prej 4000 metrash. Ka kamera, drita dhe skanerë për të eksploruar mjedisin. Nëndetësja përmban edhe bombola oksigjeni që sigurojnë një furnizim 96-orësh. Megjithatë, numri i orëve varet nga frekuenca e frymëmarrjes së atyre që janë në të.

 

“Aeroplanët amerikanë dhe kanadezë dhe anijet e mëdha po kërkojnë zonën, por kërkimi është “i ndërlikuar” sepse ekuipazhet nuk e dinë nëse Titani ka dalë në sipërfaqe, që do të thotë se duhet të kërkojnë si sipërfaqen ashtu edhe thellësitë e oqeanit”, u shpreh komandanti i parë i distriktit të rojës bregdetare të SHBA, i cili mbikëqyr operacionin.

 

Ekspertët kanë ofruar disa skenarë më të mundshëm për të shpjeguar se çfarë mund të ketë ndodhur,  nisur që nga ngatërrimi në rrënojat e Titanikut, tek një ndërprerje e energjisë elektrike apo një problem me sistemin e komunikimit të nëndetëses.