Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka pritur në takim Ambasadorin e Turqisë në vendin tonë, Tunç Angili.

 

Gërvalla e ka falënderuar Angilin për mbështetjen e Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndihmën për sigurimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në strukturat euroatlantike, ka njoftuar MPJD.

 

“Ajo falënderoi Ambasadorin dhe shtetin turk për ndihmën e dhënë Republikës së Kosovës në shumë fusha, veçanërisht në fushën e trajnimeve ushtarake”, thuhet në njoftim.

 

Një temë e bisedës ishte gjithashtu situata e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

 

“Ministrja Gërvalla theksoi se rrëmbimi i policëve tanë në detyrë brenda territorit të Kosovës është një akt agresioni i Serbisë dhe shkelje e normave ndërkombëtare. Ajo kërkoi që komuniteti ndërkombëtar ta dënojë këtë akt dhe të bëjë presion për lirimin e policëve tanë sa më shpejt dhe pa kushte”, thuhet në njoftimin e ministrisë.