Akademia e Studimeve Albanologjike ka paditur Këshillin e Ministrave dhe Ministrinë e Arsimit për vendimin për kalimin e instituteve të Akademisë së Studimeve Albanoligjike pranë Akademisë së Shkencave.

 

Në kërkesë-padinë që mban firmën e kryetarit të Senatit, njëherësh rektor i ASA-s, prof.dr. Luan Përzhita, kërkohet shfuqizimi i vendimit për mbylljen e veprimtarisë së ASA dhe riorganizimin e instituteve kryesore të saj.

 

Teksa e konsiderojnë një akt të paprecedentë, Senati Akademik i Akademisë së Studimeve Albanologjike thekson se vendimi është marrë në kundërshtim të procedurave ligjore dhe pa konsultim paraprak me institucionin.

 

Njoftimi i Akademisë së Studimeve Albanologjike

 

Akademia e Studimeve Albanologjike njofton, se dje, e mërkurë, 21 qershor 2023 u depozitua në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë – Tiranë, kërkesë-padia për hapjen e procesit gjyqësor ndaj Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Objekt i kësaj kërkesë-padie është shfuqizimi i vendimit nr. 338, datë 31.5.2023 të Këshillit të Ministrave “Për mbylljen e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe riorganizimin e instituteve kryesore të saj” dhe marrjen e masës së sigurimit të padisë duke vendosur pezullimin e zbatimit të aktit deri në përfundim të procesit.

 

Më 12 qershor 2023, Senati Akademik i Akademisë së Studimeve Albanologjike vendosi ndjekjen e procesit ligjor kundër aktit të paprecedent për mbylljen e veprimtarisë të një prej institucioneve më të rëndësishme të albanologjisë, arsimit të lartë dhe kulturës shqiptare. Ky vendim është marrë në kundërshtim të procedurave ligjore dhe nënligjore të parashikuara nga vetë Këshilli i Ministrave dhe nga ana tjetër, në mungesë totale të konsultimit paraprak me institucionin. Si veprime që bien në kundërshtim me ligjin, kërkohet shfuqizimi i tyre.