Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se, “në progres-raportin e Komisionit Evropian, Shqipëria ka marrë për institucionin e Prokurimit Publik, jo notë kaluese, as notë të mirë, por Shqipëria ka marrë notën maksimale.

 

Në fjalën e tij në Kuvend ku u diskutua raporti vjetor i veprimtarisë së Komisionit të Prokurimit Publik, Balla, duke replikuar me deputeten e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, tha se, “në progres raportin e KE rekomandohet që eksperienca e fituar nga Shqipëria tek institucioni që ka zgjedhur si gjykatë e prokurimeve. Se ju nuk e dini, kjo është një kuazi gjykatë. Është niveli i parë i një gjykate. vendimet e së cilës shqyrtohen si nivel i dytë nga Gjykata Administrative e Apelit”.

 

Sa i përket vlerësimit për këtë institucion, Balla tha se, “e vërteta është që nga të gjithë ato procedura, vetëm 5 vendime ka nga Gjykata e Apelit, për të cilat është pranuar shqyrtimi në gjykatë i ankesës. Pra nga gjithë ato qindra procedura. Dhe ndërkohë që në fakt edhe vetë ankimuesit, pra operatorët, kanë një nivel, nivelin më të ulët, vetëm 5.5%, e të gjithë ankesave kanë zgjedhur të shkojnë në Gjykatën Administrative të Apelit”.

 

Ne, vijoi Balla, “kemi pranuar gjithë këto vite që raportet e progresit të KE t’i lexojmë të gjithë njësoj dhe kur BE na thotë që shiko ky institucioni ka bërë punën si duhet. Kur BE e merr Komisionin e Prokurimeve Publike shqiptar për t’ia rekomanduar, dhe unë e përshëndes, dhe t’ju them të drejtën e kam nxitur bashkëpunimin mes Komisionit tonë të prokurimeve Publike dhe atij të Kosovës, ku po japim një asistencë të vyer. Dhe në fakt e kemi kthyer Tiranën në një qendër rajonale të eksperiencave. Dhe shkoj përtej kësaj për të mbështetur atë që ka thënë kryeministri Edi Rama, i cili ka rekomanduar. Dhe unë besoj që ne duhet të shkojmë drejt një institucioni rajonal të Prokurimeve Publike. Është një shembull, ose është një destinacion ku duhet të përqasemi, sepse e vërteta është që prokurimet publike janë dhe mbeten një sfidë në të gjitha vendet. Nuk flas këtu për vendet që synojnë të anëtarësohen në BE, por flas këtu për vende që janë anëtare të BE”.

 

Balla solli shembullin e Rumanisë, kur theksoi ai, “në vitin 2012, arrihej të përmbyllte procesin e tenderimit vetëm 10% e fondit publik, sepse 90% e procedurave nuk përmbylleshin dot. Kjo edhe për shkak të luftës kundër korrupsionit dhe hezitimit të anëtarëve të Komisioneve të Vlerësimit të ofertave për të marrë pjesë në to. prandaj ndoshta një model tjetër i KVO-ve me outsource mund të ishte një zgjedhje që mund t’i dilte para këtij momenti”.

 

Balla tha se, tek ky shërbimi publik është bërë një reformë me asistencën e vyer të KE.

 

“Jemi i vetmi vend që kemi vendosur kritere përjashtuese, ndoshta në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut dhe me ato që burojnë nga Kushtetuta, që personat e dënuar për korrupsion, të cilët janë ortakë në shoqëri tregtare, nuk mund të përfitojnë, ose nuk mund të kualifikohen, ose s’kualifikohen automatikisht. Po ashtu edhe për krime të rënda të tjera. Dhe jemi një vend që kemi shkuar përtej asaj që quhet acqui-communitaire, në pjesën e prokurimeve publike. Dhe në fakt, Shqipëria rekomandohet në raportet e BE-së si një vend i cili ka bërë një përparim të dukshëm”, u shpreh Balla.

 

Sa i përket digjitalizimit të ankesave, vijoi Balla, “e kemi arritur dhe pothuajse jemi 100% në destinacion. Pra kemi digjitalizuar shërbimin, duke shpëtuar kohë por duke rritur transparencën. Dhe transparenca në këtë proces vlerësohet maksimalisht nga raport progresi i BE”.