Prestigjiozja britanike “The Sun” sugjeron pushimet në rivierën shqiptare këtë verë. Fluturimet janë më të shpejta se ishujt Kanarie në Spanjë dhe mjaftojnë vetëm tre orë për të arritur në Vlorë ose Ksamil nga Mbretëria e Bashkuar.

 

Rritja e popullaritetit të rivierës shqiptare reflektohet edhe në rezervimet e kryera. Sipas agjencisë britanike të udhëtimeve Skyscanner rezervimet në vendin tonë nga shtetasit britanikë janë rritur me 96 për qind krahasuar me vitin  2019, dhe ky trend  pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Hapësirat akomoduese janë mjaft të lira, por edhe hotelet me 5 yje kanë çmime mjaft të favorshme. Ndërsa shumica e plazheve janë në pronësi private, shumica e shezlloneve dhe çadrave kushtojnë vetëm disa Euro për tërë ditën. Ndër plazhet që spikat gazeta janë ato të Vlorës, Dhërmiut dhe Ksamilit.

 

The Sun thekson se aktualisht nuk ka kufizime për Covid-in dhe britanikët mund të qëndrojnë në rivierën shqiptare pa vizë deri në 90 ditë brenda një periudhe gjashtëmujore.

 

Sipas Zyrës së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, rreth 120,000 britanikë vizitojnë Shqipërinë çdo vit ndërsa pritet që numri i tyre të rritet kjo dhe falë vëmendjes që po i japin shumë media të huaja bukurive të vendit tonë.