Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka deklaroi sot se, “largimi i të rinjve shqiptarë është pasojë e keqqeverisjes, korrupsionit dhe shpërblimit të një rrethi njerëzish, të cilët nuk kanë në fokus të punës së tyre zhvillimin e Shqipërisë”.

 

Në një deklaratë për mediat, Caka u shpreh se, “raporti tematik i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Ministrinë e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, ka konstatuar një fakt shumë të rëndë për taksapaguesit shqiptarë dhe veçanërisht për të ardhmen e të rinjve dhe fëmijëve në Shqipëri. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, Ministria e Rinisë dhe Fëmijëve nuk ekziston, por në të vërtetë kjo ministri merr nga buxheti i shtetit mbi 1 miliardë lekë buxhet çdo vit”.

 

Caka theksoi se, “nga auditimi u konstatua se nga Ministria nuk janë ndërmarrë hapa për zhvillimin e kompetencave të rëndësishme për hartimin dhe publikimin e raporteve të vlerësimit mbi situatën e të rinjve, zbatimin e politikave dhe veprimtarive rinore, si dhe nuk janë monitoruar standardet për ndërtimin e hapësirave rinore të sigurta dhe të aksesueshme për të rinjtë”.

 

“Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, nuk ka hartuar, zhvilluar dhe monitoruar politikat, për marrjen e masave për të siguruar jetesën dhe zhvillimin e fëmijës; sigurimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave dhe autoriteteve qendrore e vendore, si dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e fëmijës”, tha Caka.