Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani zhvilloi një vizitë pune në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, në kuadër të bashkëpunimit të institucionit me fakultetet e drejtësisë të Universiteteve Publike të vendit.
Në mjediset e Rektoratit, Metani u mikprit dhe zhvilloi një takim informues me rektoren e Universitetit të Shkodrës, Rajmonda Këçira, dekanin e Fakultetit të Drejtësisë, Gaspër Kokaj dhe dekanen e Fakultetit të Drejtësisë, Irma Baraku.
Biseda u pasua nga nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit mes Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani dhe dekanit të Fakultetit të Drejtësisë, Gasper Kokaj.
Memorandumi parashikon mes të tjerash mundësinë̈ e realizimit të praktikës për studentët e Departamentit të së Drejtës, pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, krahas organizimit të aktiviteteve të përbashkëta me fokus edukimin ligjor e profesional në fushën e drejtësisë.
Metani vërejti se Zyra e ILD-së ka gjithë vëmendjen për ndërgjegjësimin dhe mbështetjen profesionale për brezin e ri të profesionistëve të drejtësisë, si një kontribut konkret për demokratizimin e shoqërisë dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës.
“Unë mendoj thellësisht që reforma në drejtësi nuk mund të ketë sukses në qoftë se nuk është kontributi i të gjithë shoqërisë dhe të gjithë aktorëve që marrin pjesë në drejtimin shoqëror, ekonomik, social, por edhe të drejtësisë në Shqipëri, siç është edhe Fakulteti i Drejtësisë së Shkodrës, pjesë e profesionistëve të ardhshëm të sistemit në Shqipëri. Kështu që e kemi menduar me shumë dëshirë këtë iniciativë dhe shpresoj shumë që ta realizojmë sa më shpejt, edhe me kontributet për intership-et e studentëve, por edhe nëpërmjet kontributeve që trupa mësimdhënëse e Fakultetit të Drejtësisë së Shkodrës, mund t’i japë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, tha Metani.
Dekani Gaspër Kokaj shprehu vlerësimin për zyrtarizimin e bashkëpunimit me ILD-në.
“Më vjen mirë që një Institucion kaq i rëndësishëm në shtetin shqiptar, mbi të gjitha në pjesën e drejtësisë në kuadër të reformës, merr iniciativën dhe na fton për të bërë një marrëveshje të tillë, sepse zakonisht ne Universitetet e rretheve jemi të ftohtë dhe më pak të vëmendshëm, për këtë arsye merr më shumë vlerë kjo marrëveshje shumë e mirëpritur prej nesh”, tha Kokaj.
Më pas, Metani zhvilloi një leksion të hapur me studentë të Fakultetit të Drejtësisë mbi rolin e ILD-së në arkitekturën e re të sistemit të Drejtësisë, duke iu përgjigjur interesit të auditorit mbi aspekte të punës, të hetimit e procedimit disiplinor, mbi etikën e magjistratëve, por edhe mënyrën sesi të rinjtë e shohin sistemin e drejtësisë dhe funksionimin e tij./ata