Kryetari i grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, “po finalizohet raporti në të cilin faktohen të gjitha aspektet e rënda të dhunimit të zgjedhjeve të 14 majit”.
Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Berisha tha se, “paraqes fakte, dokumente, të cilët demaskojnë dhe rrëzojnë në mënyrë përfundimtare, zgjedhjet e 14 majit, si procesi më i shëmtuar, më i pabarabartë, si procesi në të cilin u ushtruan të gjitha format e presionit mbi zgjedhësit shqiptarë, si procesi në të cilin ditën e zgjedhjeve në qendrën e votimit me kaosin e qëllimshëm të krijuar, me pushtimin e tyre nga një lukuni e tërë punonjës administrate që u sollën si polici elektorale, politike, proces zgjedhor nuk ka pasur”.
“Ne po finalizojmë raportin në të cilin faktojmë të gjitha aspektet e rënda të dhunimit të këtyre zgjedhjeve. Ndaj dhe këtë bisedë me ju do ta filloj me këtë çështje”, u shpreh Berisha.
Berisha theksoi më tej se, këto zgjedhje nuk mund të njihen
“Janë përdorur të gjitha teknikat për të maskuar, për të manipuluar zgjedhjet, faktikisht nuk ka pasur zgjedhje. Këto video i ka vlerësuar, parë KAS-i dhe i ka quajtur normale. A mund të imagjinoni ju një institucion. Kam konstatuar se armiqtë më të këqij të ligjit, janë juristët e korruptuar. Mos e harroni këtë që ju thashë”, tha Berisha.
Sipas tij, “ligji nuk ka armiq më të egër se juristin e korruptuar. Qoftë ai gjykatës, prokuror, nëpunës, ministër, qoftë çfarë do qoftë, ai është armiku më i egër i ligjit. Këto ishin disa qendra, por ju garantoj se mbi 70-80% e qendrave në mbarë Shqipërinë kanë qenë të këtij karakteri, kaosi”.
“Kudo punonjësi i pajisjes së identifikimit ka luajtur rolin e xhandarit të votës dhe të zgjedhësit. Aty ku ka pasur makineri votimi kanë votuar për ta”, u shpreh Berisha.
“Ndaj dhe këto zgjedhje nuk mund të njihen. Këto zgjedhje janë dëshmia më e fortë, më flagrante e domosdoshmërisë jetike, për tu ngritur shqiptarët në protestë dhe për të rikthyer votën e lirë”, shtoi Berisha.
Berisha foli edhe për marrëveshjen e portit të Durrësit, për të cilën tha se “do ta çojmë në Strasburg”. Sipas tij, “Gjykata Kushtetuese dha një vendim antikushtetues”.
“Gjykata Kushtetuese, dhe ajo, është shndërruar në një aneks të PS-së. Ka marrë vendimet më antikushtetuese dhe ka shkelmuar në mënyrë të tmerrshme interesin publik. Duhet bërë një hetim nëse ata gjykatës kanë marrë ndonjë apartament në Dubai City të Edi Ramës, me vendimin që morën. Të miratosh një marrëveshje, e cila shkel në mënyrë flagrante marrëveshjen e stabilizim asociimit. Ndalem këtu, sepse në kushtetutën tonë dhe jo vetëm në të, marrëveshja ndërkombëtare prevalon mbi ligjin e vendit, predominon mbi ligjin e vendit”, tha Berisha.
“Të përdorësh klauzolën e Kushtetutës që thotë se marrëveshja shqyrtohet para se të votohet në parlament, ëshytë një spekulim. Sepse ka një nen tjetër Kushtetuta që zgjat afatin e shqyrtimit të ligjit në dy vite dhe marrëveshja shkon si ligj, marrëveshja thotë ligj, aq më tepër kur kjo marrëveshje është në kundërshtim të hapur me marrëveshjen e stabilizim-asociimit dhe gjykata Kushtetuese është e detyruar ti japë përparësi marrëveshjes së stabilizim-asociimit përpara marrëveshjes së Durrësit”, u shpreh Berisha.
“E treta, siç e dini është një marrëveshje pa garë, e cila në vetvete është në shkelje të Kushtetutës, e cila garanton në nenet dhe frymën e saj garën e hapur dhe të lirë, kjo është bërë pa garë. Dhe këto nuk janë motive për gjykatën Kushtetuese, por njëlloj si të kenë marrë ndonjë apartament në Dubai City, duke treguar një qëndrim korruptim, antiligjor të pashembullt. Ne do ta çojmë në Strasburg marrëveshjen e portit të Durrësit”, theksoi ai.