Këshilli bashkiak i Tiranës informoi sot se arsyeja e rrëzimit të kërkesave të paraqitura nga përfaqësuesit e opozitës në lidhje me zhvillimin e një mbledhje urgjente të këtij këshilli, ka ardhur si pasojë e mungesës së firmave të nevojshme.

Në një deklaratë për shtyp të këshillit bashkiak thuhet se kërkesat e paraqitura nuk përmbanin numrin e firmave minimale të kërkuara nga rregullorja për thirrjen e një mbledhje jashtë radhe të këshillit bashkiak”.

“Mbledhja e kryesisë së këshillit bashkiak Tiranë e zhvilluar më datë 22 prill, ora 17:00 në përfundim të diskutimeve vendosi rrëzimin e kërkesave të paraqitura nga përfaqësuesit e pakicës në këshillin bashkiak në lidhje me zhvillimin e një mbledhje urgjente të këtij këshilli. Kërkesat e paraqitura nga përfaqësuesit e pakicës në këshillin bashkiak Tiranë nuk plotësonin kriteret e nenit 22, shkronja “b” të Rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e këshillit bashkiak Tiranë”, ku përcaktohet se këshilli mblidhet jashtë radhe me kërkesën e 1/3 të anëtarëve të tij. Kërkesat e paraqitura nuk përmbanin numrin e nënshkrimeve të kërkuar nga rregullorja për thirrjen e një mbledhje jashtë radhe të këshillit bashkiak”, thuhet në deklaratën për shtyp.

Kryesia e këshillit bashkiak vendosi gjithashtu rrëzimin e kërkesës për ngritjen e një komisioni hetimor për emërimet në Bashkinë e Tiranës dhe auditin e brendshëm të saj.
 
‘Në përputhje me parashikimet e rregullores së këshillit bashkiak, ky këshill mund të krijojë vetëm komisione të përkohshme pune studimore/a ose për përgatitje projektvendimesh në fusha të caktuara që i shërbejnë interesit publik vendor, duke e nxjerr jashtë parashikimeve ligjore kërkesën e paraqitur nga anëtarët e opozitës në këshillin bashkiak”, theksohet në deklaratë.
 
Po kështu, kryesia vendosi shtyrjen e shqyrtimit të kërkesës së paraqitur po më datë 22 prill 2024, në mbledhjen e ardhshme të kryesisë së këshillit bashkiak për t’iu dhënë kohë anëtarëve të njihen me përmbajtjen e saj dhe të përgatitet materiale përkatës në lidhje me këtë kërkesë.
 
“Këshilltarët e grupit të Partisë Socialiste shprehën mbështetjen për punën e organit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke ftuar edhe përfaqësuesit e grupeve të opozitës të mbështesin publikisht dhe inkurajuar hetimet e mëtejshme dhe të mos ndërhyjnë në kompetencat e organeve të specializuara në luftën kundër korrupsionit. Propozim ky i cili nuk gjeti mbështetje nga përfaqësuesit e tjerë të grupeve politike në kryesinë e këshillit bashkiak”, thuhet në deklaratë./ata