Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka akuzuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiç se, përmes, siç ka thënë ai, grupeve kriminale, po tenton ta destabilizojë Kosovën.
Ai ka thënë se do t’i kërkojë Qeverisë së Kosovës që organizatat, Mbrojtja Civile dhe Severna Brigada, të shpallen organizata terroriste, në mënyrë që autoritetet e Kosovës t’i luftojnë ato në mënyrë më efikase.
Ai ka thënë se pjesëtarë të komunitetit serb, të arrestuar javëve të fundit në Kosovë, janë “kriminelë që në të kaluarën janë toleruar dhe amnistuar”.
Në mesin e të arrestuarve nga radhët e komunitetit serb janë: Dushan Obrenoviq, Radosh Petroviq, Millun Millenkoviq-Llune, Dalibor Spasiq, Urosh Vukasinoviq, Nemanja Vlashkoviq, Millan Bozhoviq dhe Sllagjan Trajkoviq.
Sipas autoriteteve të Kosovës, ata janë arrestuar për veprime kundër rendit kushtetues, si dhe për sulme ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe gazetarëve, gjatë raportimeve në veri të vendit.
Në një konferencë për media me gazetarë nga Mitrovica e Jugut, Sveçla ka thënë se Kosova nuk do të zmbrapset ndaj kriminelëve.
“Sundimi i ligjit për ne është prioritet. Ne po veprojmë sipas ligjit. Të gjitha këto veprime policore, arrestime që po bëhen, dëshmojnë se ne nuk mund të zmbrapsemi mbrapa kriminelëve, dhe qëndrojmë të angazhuar për zbardhjen e të gjitha sulmeve dhe ruajtjen e të gjithë qytetarëve, pa dallim”.
Duke e komentuar operacionin e Kosovës në veri më 23 qershor, ku është konfiskuar një makinë me targa të Beogradit, me armatim dhe pajisje shpërthyese, Sveçla ka thënë Policia e Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë e kanë parandaluar një sulm terrorist.
Më 24 qershor, në një tjetër konferencë për media, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se autoritetet e Kosovës i kanë “mbjellë” armët e gjetura në veri të Kosovës, dhe se ato janë konfiskuar në të kaluarën nga shqiptarët e serbët.
Por, Sveçla ka thënë se disa prej armëve të gjetura janë të vitit 2021, dhe jo “që kanë mbetur nga lufta e fundit në Kosovë”.
Sveçla i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë, siç ka thënë ai, sjelljen terroriste të Serbisë ndaj Kosovës.
Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit.
Atë ditë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale, me ndihmën e njësiteve të Policisë së Kosovës.
Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe për pasojë ka pasur protesta të vazhdueshme.
Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje Kosovës dhe të Serbisë që të marrin urgjentisht masa për uljen e tensioneve.