Pas disa muajve hetime për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, policia e Tiranës ka arrestuar vetëm një person në kuadër të operacionit të koduar “Rapid dispatch”

 

Gjatë operacionit është bërë sekuestrimi i një sasie kokaine, shuma parash, 7 aparate celulare, një automjet dhe është vënë në pranga 1 person.

 

Gjithashtu janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg” për dy shtetas të tjerë, si dhe janë shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorët e tyre.

 

“Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasit Rei Trimi, 25 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit Vilson Hasani, 30 vjeç, dhe Mariglen Pupa, 26 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe u shpallën në kërkim bashkëpunëtorët e tyre, shtetasit S. T., dhe A. B.”,-njofton policia.

 

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin kokainë dhe më pas e shisnin atë në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në zonën e ish-Bllokut.

 

Ndërkohë, autoritetet po punojnë për arrestimin e S. T., dhe A. B.