Kamëz/Finalizohet operacioni policor i koduar “The dispute”, nga Komisariati i Policisë Nr. 5.

 

U konfliktuan me sende të forta, dhe njëri prej tyre tentoi të përdorte armë zjarri gjatë konflikti, shpallen në kërkim dy shtetas.

 

Vihet në pranga një tjetër, i cili pengoi zbulimin e së vërtetës duke marrë armën nga vendi i ngjarjes dhe duke u larguar.

 

Procedohen penalisht tre të tjerë. Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë dhe municion luftarak.

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në çdo formë të saj, pas njoftimit të marrë për një konflikt të ndodhur në Rrugën Skënderbeu, Kamëz, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “The dispute”.

 

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua shtetasi E. P., 35 vjeç, banues në rrugën “Pandeli Sotiri”.

 

U proceduan në gjendje të lirë shtetasit D. P., 24 vjeç., S. P., 23 vjeç, dhe E. L., 33 vjeçe, të tre banues në Kamëz.

 

Gjithashtu po punohet për kapjen e shtetasve G. L., 29 vjeç, dhe N. R., 24 vjeç, të dy banues në Kamëz.

 

Këta shtetas, ditën e djeshme, rreth orës 19:30, në Kamëz, për motive të dobëta, janë konfliktuar me njëri-tjetrin me sende të forta. Gjatë konfliktit shtetasi G. L., ka tentuar të përdorë armë zjarri, të cilën ia ka marrë shtetasi E. P., dhe është larguar, duke penguar zbulimin e së vërtetës.

 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma zjarrit pistoletë dhe municion luftarak. Vijon puna për kapjen e shtetasve G. L., dhe N. R.

 

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.