Anëtarja e kryesisë së Partisë së Lirisë, Ismeralda Seidolli në një deklarate për shtyp, ngriti shqetësimin për furnizimin me ujë të pijshëm në disa nga fshatrat e Korçës.

 

“Banorët e Beloratsë, Dërsnikut, Shamollit dhe pjesa më e madhe e fshatrave të njësisë administrative Vithkuq, vuajnë mungesën e ujit të pijshëm për shkak të neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë të institucioneve vendore”, tha ajo.

 

Sipas saj, mungesa e ujit ka detyruar një pjesë të banorëve t’i drejtohen burimeve më të afërta për të mbushur ujë, ndërsa një pjesë tjetër detyrohen ta blejnë, megjithëse kjo kosto rëndon në xhepat e tyre.

 

“Përveç furnizimit të ujit me orare të kufizuara, ajo ç’ka shqetëson më shumë banorët, është uji me baltë dhe mbetje që vjen në rubinetat e tyre jashtë çdo kushti higjenosanitar”, tha Seidolli.

 

Ajo i bëri thirrje bashkisë Korçë të ndërhyjë për zgjidhjen e këtij problem menjëherë duke marë masat e nevojshme për furnizim 24 orë me ujë të pijshëm.