Jasir Asani po kalon momentet, ndoshta, më të bukura në karrierën e tij.

 

Nga aventura në Korenë e Jugut dhe golat, anësori në moshën 28-vjeçare mori një ftesë nga trajneri Silvinjo, për t’u bërë një pjesë e rëndësishme e Kombëtares dhe një nga pikat ku braziliani do të mbështetet në këto kualifikuese.

 

Asani, kështu, bëhet futbollisti i parë nga Shkupi që luan për Shqipërinë dhe këtë e konfirmon edhe vetë ai, në një intervistë për “Indeks”.

 

Jasir, më në fund jeni pjesë e Kombëtares shqiptare në moshën 2-vjeçare, si ndiheni?

 

Të jesh futbollisti i parë nga Shkupi që të luash për Kombëtaren shqiptare, të them të drejtën emocionet nuk mund t’i përshkruash asnjëherë. Është një emocion shumë i madh. Çdo futbollist shqiptar anembanë botës, padyshim që ka dëshirë të luajë për Kombëtaren shqiptare. Unë e arrita ëndrrën dhe qëllimin që kisha dhe jam më i lumturi në botë, sepse gjithmonë kam dashur që të luaj për këto ngjyra.

 

Arritët që në ndeshjen e dytë me Shqipërinë të shënoni gol, arritje e madhe apo jo?

 

Të shënosh që në ndeshjen e dytë me Kombëtaren patjetër që është një ndjesi shumë e veçantë. E prita sepse kisha edhe një ndjesi që do shënoja gol. Gjithçka shkoi mirë sepse fituam, ajo ka më shumë rëndësi, pikët, për ekipin, pastaj golat personalë. Do të vazhdojmë të bëjmë mirë dhe shpresoj që të shënoj sa më shumë gola.

 

Me këtë grup lojtarësh, sa besoni se Shqipëria mund të kualifikohet në Europianin e vitit të ardhshëm në Gjermani?

 

Çdo lojtar beson sepse kemi një ekip shumë të mirë me lojtarë të fortë edhe normale që duhet të besojmë e të ëndërrojmë. Kemi skuadër të mirë dhe duhet t’i marrim ndeshjet një nga një, dhe pse jo, t’i bëjmë të gjithë krenarë e të shkojmë në Gjermani.

 

Ndeshja e parë në Tiranë krijoi një atmosferë të veçantë, ku stadiumi ishte i mbushur plot me tifozë. Çfarë ndjesie ishte?

 

Po, ishte shumë e bukur. Stadiumi plot nga tifozët me shqiptarë ngado, edhe nga Maqedonia. Duhet të vijnë gjithmonë që të na mbështesin, sepse ata janë zemra e ekipit. Kur ata janë në stadium ne mund ta fitojmë ndeshjen më lehtë, sepse na duhet përkrahja e tyre. Kur i kam parë Shvercerat, Ballistat apo edhe grupimet e tjera, i falënderoj dhe i pres të vijnë sa më shumë edhe në ndeshjen e ardhshme të Kombëtares shqiptare.