Mbi 50 mijë tifozë të Shqipërisë do të jenë të pranishëm në  stadiumin e Dortmundit për të ndjekur nga afër ndeshjen e të shtunës të Grupit B në EURO2024 kundër Italisë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama tha se “Muri i Verdhë i Borussias do të zëvendësohet për një natë nga Dallga Kuqezi”.

“Natyrisht! 50 mijë shqipe dhe 31 mijë azzuri në shkallët e arenës së famshme të Dortmundit nesër, ku Muri i Verdhë i Borussias do të zëvendësohet për një natë nga Dallga Kuqezi”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, “Shqipëria e ka fituar Europianin e saj dhe s’ka më asgjë për të humbur”.

“Prandaj cilidoqoftë rezultati i ndeshjes, mbrëmja e nesërme do të mbetet jo vetëm në historinë e futbollit shqiptar, po edhe në kujtesën e 10 milionë shqiptarëve”, u shpreh Rama.

Edhe pse Signal Iduna Park, stadiumi vendas i Borusias së Dortmundit, mban rregullisht mbi 81,000 spektatorë për ndeshjet e klubit, do të ketë një kapacitet të reduktuar prej 62,000 spektatorësh gjatë EURO2024 dhe burimet e UEFA-s kanë thënë se një numër i madh biletash të seksionit neutral për ndeshjen hapëse të Grupit B janë blerë nga tifozët shqiptarë.

Shumë banorë shqiptarë në Gjermani kanë blerë biletat për paraqitjen e parë të vendit në  një turne të madh që nga EURO 2016, ndërsa kampionia e Europës në fuqi, Italia pritet të mbështetet nga më pak se 10,000 tifozë, për shkak se shumica dërrmuese të biletave janë të blera nga tifozët shqiptarë./ata