Gjergj Hani, kandidati i cili sfidon Lulzim Bashën në garën prë kreun e Partisë Demokratike, zgjedhje të cilat do të mbahen më 29 korrik, në një konferencë për gazetarë prezantoi projektin e tij për drejtimin e së djathtës.
Hani u shpreh se ai është alternativë, jo se është Gjergji Hani, por idetë që do të sjellë për demokratët. Fokus për Gjergji Hanin ishte hapja e Partisë Demokratike, jo në teori por në praktikë.
‘Kam qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të Bashës dhe prisja që rikthimi i tij në skenën politike, do e pranoja nëse do të vinte me premisa të qarta mbi atë që ndan PD-në nga Sali Berisha. Cilat ishin mënyrat që ai do të përdorte për rindërtimin e PD-së për ta shkëputur nga partia e pazareve të pushtetit apo nga partia e liderit. Isha i bindur që Basha do të kthehej me këto premisa. Kthimi i tij u ndërtua mbi bazë demagogjie populiste. E ndjeva si një sfidë personale me ata 104 mijë demokratë dhe mora përsipër që të sjell para shqiptarëve e demokratëve zërin e atyre që shkuan të votojnë duke e ditur fare mirë se do të humbisni. Unë jam një alternativë. Alternativa ndryshon sepse nuk është Gjergji por ideja që do të sjellë Gjergji për demokratët. Duhet një hapje e madhe e PD-së, jo në teori, por në praktikë. Të rifreskojmë burimet njerëzore përfshirë edhe prurje nga diaspora.’- tha Gjergji Hani.