Tregu i sigurimeve e mbylli pesëmujorin e parë të këtij viti me një rritje prej 15.29 % të primeve të shkruara bruto, duke arritur në rreth 8.9 miliardë lekë të ardhura

 

Referuar raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), gjatë periudhës janar-maj 2023, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 505 098 me një rritje prej 13.36 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

AMF thotë se tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.97 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, sigurimet e Jetës kanë 7.93 % dhe risigurimi 0.102 %.

 

Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 46.50 % dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 53.50 % të totalit të tregut.

 

Gjatë muajit janar-maj 2023, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,706 milionë lekë, ose 0.32 % më pak se në muajin janar-maj 2022. Kjo ka ardhur kryesisht për shkak të efektit të sigurimit të pronës, si pasojë e përfundimit të pagesave të dëmeve të ngjarjeve të tërmetit të vitit 2019.

 

Dëmet e paguara bruto në sigurimin e motorik për muajin janar-maj 2023 kapën vlerën 1,953 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 9.44 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./ATSH