Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Maksim Et’hemaj konsideroi sot sfidë përgatitjen e burimeve njerëzore në këtë fushë.
Gjatë analizës vjetore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Et’hemaj u ndal te përgatitjet që ka ndërmarrë Autoriteti i Aviacionit Civil për përgatitjen dhe sigurimin e burimeve njerëzore.
“Kemi punuar mbi 1 vit e gjysmë, kryesisht jashtë për të gjetur format e financimit për këtë lloj edukimi. Organizata Botërore e Aviacionit Civil ka një program të quajtur ‘Gjenerata e re e profesionistëve të Aviacionit Civil’, pasi të gjithë ekspertët e Aviacionit Civil mund të punojnë kudo në botë, pasi standardi është një”, tha Et’hemaj.
Kriteri për të përcaktuar shtetet ku ky program aplikohet, sipas Et’hemaj është kryesisht rritja e industrisë dhe zhvillimi i Aviacionit Civil.
“Rasti më tipik pas periudhës së COVID janë dy shtete, Shqipëria dhe Arabia Saudite. Pas një vitit e gjysmë diskutimesh jemi njoftuar në dhjetor dhe Shqipëria është përfituese e projektit për të hapur Akademinë e Aviacionit Civil në vend”, u shpreh ai.
Et’hemaj u shpreh se “përmes kritereve strikte të seleksionimit do të zgjidhen ata që kanë kapacitetet e duhura teknike për t’u përgatitur për degët që mungojnë në Shqipëri.
Po ashtu, ai tha se përmes kurrikulave jashtëshkollore, nxënësit e moshës 12-18 vjeç do të marrin njohuri specifikime për Aviacionin Civil.
Sipas tij, synohet integrimi i kurrikulave të Aviacionit Civil në universitete./ata