Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës ka reaguar pas sulmeve që kanë ndodhur mbrëmjen e djeshme në komunën e Mitrovicës së Veriut.

 

Përmes një postimi në rrjete sociale, Ministria e Brendshme thotë se këto janë tentativa të Serbisë për të përshkallëzuar situatën në veri.

 

Në reagim thuhet se ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Veriut është sulmuar me mjet shpërthyes, që dyshohet të jetë granatë dore.

 

“Vazhdojnë sulmet terroriste ndaj institucioneve shtetërore.

 

Mbrëmë në orët e vona, ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Veriut është sulmuar me mjet shpërthyes, që sipas ekspertizës dyshohet të jetë granatë dore e llojit M75. Nga ky akt kriminal, janë dëmtuar dhe dy vetura zyrtare që gjendeshin pranë objektit. Policia e Kosovës ka marrë masat e menjëhershme në investigimin e rastit dhe identifikimin e autorëve.

 

Sulmet e vazhdueshme terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duhet të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë. Këto janë tentativa të njëpasnjëshme nga ana e Serbisë për të eskaluar situatën në veri të vendit. Ne mbesim vigjilent dhe të angazhuar për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Brendshme.

 

Kujtojmë se në orët e vona të mbrëmjes së djeshme është sulmuar me mjet shpërthyes komuna në veri të Mitrovicës nga persona të dyshuar.