Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me arrestimin e ish kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici nën akuzën e korrupsionit pasiv.

 

Në një deklaratë për mediat jashtë Kuvendit, Berisha bëri thirrje që Prokuroria e Posaçme të hetojë çdo tender të fituar nga kompanitë e Gjici deri në 100 milionë euro duke thënë se ky i fundit ka një bashkëpunim të madh me kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.

 

Ai kërkoi që të hetohen takimet dhe komunikimet mes Taulant Ballës dhe Safet Gjicit. Ndërsa tha se ende nuk ka asnjë kandidat për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen për bashkinë e Kukësit.

 

“Unë nuk kam asnjë kandidat për bashkinë e Kukësit, sapo të shpallet do u njohim me kandidatin. Edi Rama në batakun e Gjicit. I bëj thirrje SKAP-it të partisë të marrë çdo komunikim të Taulant Ballës gjatë viteve të fundit me Gjicin e Edi Ramës. I bëj thirrje të marrë në GPS të gjitha takimet dhe spostimet e tyre.

 

Të hetohet cdo tender të fituar nga Gjici në 100 milionë euro sepse lajmet gumëzhijnë, flitet shumë që këta qenkan të lidhur si mishi me thoin, Taulanti me Gjicin. Dikush thotë në bixhoz, dikush në afera të tjera. Këto nuk i di por di këtë që ftoj të bëhen hetime të plota që të kuptohet sesi ranë nga qielli 100 milionë euro tek përfaqësuesi dinjitoz i Edi Ramës, Safet GJici”-tha Berisha.