Një delegacion parlamentarësh italianë nga grupi i bashkëpunimit Itali-Shqipëri, të kryesuar nga Salvatore Deidda, president i Komisionit të Transporteve, zhvilluan një vizitë në Tiranë, ku u takuan me homologët shqiptarë.

Ambasada e Italisë në Shqipëri bëri të ditur sot se kjo vizitë përfaqëson një hap themelor në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, bazuar në miqësinë, bashkëpunimin dhe rritjen e përbashkët si aleatë të NATO-s, me një të ardhme të përbashkët në Bashkimin Europian.

“Gjatë takimeve me homologët e tyre shqiptarë, u trajtuan tema me rëndësi për të dyja palët dhe mundësi për bashkëpunim në sektorë kyç si ekonomia, transporti, trajnimi, digjitalizimi dhe qëndrueshmëria”, thuhet në njoftimin e Ambasadës italiane.

Ambasada nënvizon rëndësinë e bashkimit të forcave për të adresuar sfidat e përbashkëta dhe për të ndërtuar një të ardhme të begatë.

“Së bashku, ne mund të shkruajmë një faqe të re në historinë tonë”, përfundon njoftimi i Ambasadës së Italisë në Tiranë./ata