Kuvendi ka miratuar për përfshirjen në rendin e ditës në seancën e sotme plenare projektligjin për amnistisë penale.

Deputeti i opozitës Dashnor Sula deklaroi ky ligj nuk mund të kalojë në votim pa u kaluar më parë në Komisionin e Ligjeve.

Sipas tij, nuk bëhet fjalë për një akt dosido, por për një projekt ligj të rëndësishëm.

“Ne nuk na është dhënë mundësi për të dhënë amendamente. E keni  kaluar në mënyrë të njëanshme me votat e mazhorancës. Dakordësia nen për nen ka shumë për të diskutuar dhe do ishte korrekte që Komisioni i Ligjeve të mblidhej”, u shpreh ai.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha në një prononcim për mediet para nisjes së punimeve të seancës plenare tha se “propozimi i PS me mbështetjen e pazarxhinjve të PS, e kthen votën atyre që i thonë vetes opozitë në votë të një aneksi të PS, një kamerdare për Edi Ramën. Së dyti jep një sinjal të qartë kundër SPAK-ut”.

Sipas tij, “kjo është aleanca anti-SPAK, sepse sinjali është ju i dënoni zyrtarët, ne i lirojmë me amnisti”.

Kreu i grupit parlamentar të “Rithemelimit”, Gazmend Bardhi tha se “asnjë zyrtar i dënuar nga GJKKO nuk përfiton amnisti”.

Ai deklaroi në Kuvend se janë përfshirë të gjitha rastet e protestuesve të opozitës e shoqërisë civile që përfitojnë.

Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj deklaroi në Kuvend se në projektligjin për amnistinë penale janë të paktën 3 amendamente që godasin SPAK dhe drejtësinë e re.

“E para dështuat reformën zgjedhore, e dyta gjasme komisionet hetimore e treta është kjo sot. Do jepet vota për t’i ulur dënimi 1 vit e gjysëm burrave dhe 3 vite grave që janë dënuar nga drejtësia e  re. Testi i parë i hidhur ri kësaj marrëveshjeje”, tha Alibeaj.

Ai kërkoi që ky projektligj të kthehet edhe një herë në Komisionin e Ligjeve.

“Ta ktheni në komision ta diskutojmë të bëjmë transparencë dhe të shohim interesat individuale. Janë 3 amendamente që godasin drejtpërdrejtë SPAK”, tha Alibeaj./ata