Një pikë statike (kontejner) e Policisë së Kosovës është djegur sot rreth orës 03:00 të mëngjesit në veri të Mitrovicës.

 

Lajmi është konfirmuar nga zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

 

Ai tha se nuk ka të lënduar dhe se janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

 

Tensionet në veri të Kosovës kanë nisur të rriten që nga fundi i majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave kanë hyrë në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

 

Protestat që vazhdojnë, kanë kulmuar edhe në dhunë midis demonstruesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR.

 

Ndërkohë komuniteti ndërkombëtar bën vazhdimisht thirrje për shtensionomin e situatës.

 

Ndër kërkesat kryesore të ndërkombëtarëve janë tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në këtë zonë.