Mbretëresha e ndjerë Elizabeth II, përgjatë jetës sësaj ka mbajtur një ditar ku ka rrëfyer detaje dhe sekrete të pa treguara më parë.
Paul Whybrew, i cili ishte një nga njerëzit e besuar të Mbretëreshës Elizabeth, ka në dorë ditarët dhe letrat e saj private dhe do të vendosë se çfarë do të jetë e disponueshme për publikun dhe çfarë do të mbetet sekret.
Telegrafi raportoi: “Kuptohet se është shumë herët për të vendosur se cilat letra mund të publikohen në vitet në vijim nga Arkivi Mbretëror. Mbretëresha mbajti një ditar të shkruar me dorë, i cili mund të ofronte një vështrim të paprecedentë në mendimet e monarkut të ndjerë dhe pikëpamjet mbi jetën politike dhe familjare gjatë mbretërimit të saj të gjatë”.
Mbretëresha Elizabeth mbante një ditar të shkruar me dorë, por Daily Mail raporton se “ishte shumë më i përciptë se ditarët e mbajtur nga mbretëresha Victoria, stër-stërgjyshja e saj”. Një herë ajo tha se shkruante në ditarin e saj rreth 15 minuta çdo mbrëmje, duke thënë në një dokumentar: “Unë mbaj një ditar, por jo si ai i Mbretëreshës Victoria. Është mjaft i vogël.”
Whybrewt i është besuar kjo detyrë nga vetë Mbreti Charles III.
“Për këtë detyrë, mbreti Charles kishte nevojë për dikë që mund t’i besonte, dikë që mund të ishte i sigurt. Tall Paul është ruajtësi i sekreteve të Mbretëreshës. Nuk ka askënd tjetër që Mbreti do t’i kishte besuar një punë kaq të madhe. Ky është shpërblimi përfundimtar për besnikërinë e tij”.