Të paktën 150 persona u arrestuan në mbarë Francën, pas protestave të dhunshëm për të dytën natë radhazi. Parisi i ngjante një zone lufte pas protestave që u provokuan nga vrasja e një adoleshenti 17-vjecar nga forcat policore

 

Nga Sofia Bettiza, BBC

Në Nanterre mund të nuhasësh akoma tymin në ajër këtë mëngjes. Rrugët janë të mbushura me makina të djegura, të copëtuara, të kthyera përmbys.

 

Disa prej tyre janë djegur aq shumë sa nuk njihen. Disa kosha janë ende në zjarr.

 

Ka xhama të thyer në tokë dhe shishe qelqi bosh që protestuesit i hodhën ndaj policisë.

 

Këto janë pasojat e natës së dytë të protestave të dhunshme në periferi të Parisit, ku një adoleshent u qëllua për vdekje nga policia të martën.

 

Protestuesit hodhën kapsolla dhe fishekzjarre ndaj policisë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës.

 

Ndërsa autoritetet po pastrojnë rrugët këtë mëngjes, një banor vendas kalon pranë dhe i thotë një fqinji: “Kjo duket si një zonë lufte”.

 

Duke folur këtë mëngjes në një takim për krizën, presidenti francez dënoi dhunën.

 

Por shumë njerëz në këtë komunitet janë thellësisht të tronditur dhe të mërzitur nga ajo që ndodhi. Zemërimi i tyre nuk ka gjasa të largohet së shpejti, që do të thotë se mund të ndodhin më shumë përplasje në ditët në vijim.