Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se mbështet plotësisht pavarësinë e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe se rregullorja e saj e re, e cila hyri në fuqi nga 1 shkurti 2024, nuk e targeton dinarin e Serbisë.

Kurti tha se Banka Qendrore ka kërkuar me të drejtë që transaksionet joformale që kryhen në dinarë të Serbisë të formalizohen.

Ai nënvizoi se në këndvështrimin praktik ky vendim nënkupton se pagesat e marra nga serbët e Kosovës janë ende të lejueshme, por do të deponohen në llogaritë e tyre me euro dhe se posedimi privat i monedhave të huaja mbetet i lejueshëm.

“Pothuajse 35 për qind e komunitetit serb në Kosovë marrin pensione nga Qeveria jonë në llogaritë e veta në euro. Pensionet që marrin nga Serbia mund të transferohen në të njëjtat llogari, si plotësim dhe jo si zëvendësim të skemave ekzistuese të përfitimeve. Përveç degëve bankare zyrtare, ka 15 institucione të tjera financiare ku pensionet nga Serbia mund të ndahen, në mungesë të llogarive bankare. Për më tepër, hapja dhe mirëmbajtja e llogarive të reja bankare në euro do të jenë pa pagesë”, thuhet në deklaratën e tij.

Kryeministri tutje tha se periudha e tranzicionit ka filluar tashmë dhe se ndryshimi gjithmonë sjell vështirësi, edhe nëse ndryshimet forcojnë demokracinë.

“Por një periudhë tranzicioni kurrë nuk duhet të keqinterpretohet si sulm apo ndarje e thelluar. Dhe pasiguria e shkurtër që haset gjatë kësaj periudhe nuk duhet të shfrytëzohet për përfitimin politik. Kjo periudhë ndryshimi bëhet më e vështirë jo përmes zërave të komunitetit serb këtu, por përmes nxitjes së frikësimit, kur ne, në fakt, do të duhej të ushtronim maturi dhe qetësi”, theksoi ai.

Sipas kryeministrit kosovar, mënyra se si kjo çështje është komunikuar mund të ishte më e qartë për të shmangur konfuzion, “megjithëse rregullorja hyri në fuqi më 1 shkurt, e kuptojmë se një periudhë tranzicioni është e nevojshme”.

Ai shtoi se gjatë këtij muaji do të sigurohen që të japin të gjitha informacionet dhe të gjithë ndihmën e nevojshme që ky tranzicion të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundur.

“Është mendimi i të gjithëve që e duan Kosovën, që jemi në progres dhe ka progres për t'u realizuar. Në këtë rrugëtim, veprimet tona gjykohen mbi dy baza: (1) qëllimet dhe (2) shkronja e ligjit. Një veprim që synon të forcojë demokracinë duke zbatuar ligjin duhet të interpretohet për atë çka është. Ndërsa vendi ynë është duke u rritur në fuqinë e vet demokratike, atij me gjasë do t'i duhen ca përshtatje”, përfundoi deklaratën kryeministri Kurti.

Shtetet e Quintit (SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia) kanë kërkuar nga Kosova që të shtyhet ekzekutimi i vendimit të rregullores së BQK-së që parasheh ndalimin e përdorimit të dinarit si valutë e vlefshme në treg.

Gjithashut, nga Bashkimi Evropian (BE) kanë deklaruar se “periudha e shkurtër e tranzicionit për zbatimin e rregullores, e kombinuar me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikojnë të ndërlikojnë seriozisht jetën e tyre”./aa