Deri më tani nuk asnjë të dëmtuar me nënshtetësi shqiptare në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi.

 

Kështu deklaroi ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, pas mbledhjes së qeverisë, e pyetur nga mediat për situatën e shtetasve tanë në Turqi.

 

“Sot që flasim, paçka se kemi vënë në dispozicion numra kontakti përmes ambasadës, konsullatës, adresa e-maili dhe kemi koordinuar këtë lloj komunikimi, nuk kemi asnjë informacion për qytetar shqiptarë, pra me nënshtetësi shqiptare që të kenë qenë rezident të këtyre zonave, apo të kenë humbur kontaktet me familjarët e tyre. Kemi pasur informacion për 10 familje me orgjinë shqiptare, ku të parët e tyre janë vendosur në Turqi 100 vjet para, të cilët fatmirësisht kanë pasur kontakt me familjarët e tyre”, informoi ministrja.

 

Ajo shprehu ngushëllimet e saj për këtë fatkeqësi të këtyre përmasave dhe me këtë bilanc kaq tragjik si për popullin e Turqisë dhe atë të Sirisë.

 

“Ne kemi bërë gjithçka në fuqinë tonë për të asistuar dhe ndihmuar me ekipin tonë të kërkim-shpëtimit. Bëhet fjalë për efektivë të Forcave të Armatosura, mjekë, dhe ekspertë të cilët janë pozicionuar në një pjesë të 10 provincave ku dhe ka ndodhur kjo fatkeqësi e madhe. Është një situatë vërtetë e dhimbshme që po e ndjekim të gjithë me shumë vëmendje dhe të bëjmë çmos për të asistuar”, u shpreh Xhaçka.

 

Ajo tha se, “marrë shkas të falënderoj edhe ekipin tonë të diplomatëve, si në ambasadën tonë në Ankara, si në Konsullatën tonë të Përgjithshme në Stamboll, që kanë koordinuar gjithë këtë proces, qoftë të përcjelljes atje të forcave tona dhe për asistencën e gjithë atyre që nuk kanë pasur kontakt me familjarët e tyre që kanë qenë rezident të këtyre zonave”./ATSH