Greqia vijon të mbajë në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë që nga nëntori i ftohtë të vitit 1940. Kreu i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) Shpëtim Idrizi në një intervistë në “Studio Live” në Report TV thotë se është tentuar 23 herë që të hiqet ligji por sipas tij nuk ka vullnet nga pala greke.

“Askush s’kishte menduar se 80 vjet pasi ka mbaru nga pikëpamja praktike lufta, Greqia e mban ende këtë ligj. Nuk ka pasur abrogim. Ka mungesë vullneti dhe dëshire nga pala greke për të hequr ligjin e luftës. Nuk shoh dhe konsistencë nga pala shqiptare. Nuk besoj se ka çështje tjetër më të rëndësishme sesa një ligj të tillë. Ka 23 herë që është tentuar në Greqi që ta heqin ligjin e luftës. Unë kam sfiduar duke thënë se Greqia nuk e heq ligjin e luftës”.

Në një intervistë me gazetarin Arbër Hitaj, Idrizi shprehet se ligji i luftës nuk është abroguar asnjë here, ndërsa paralajmëroi se së shpejti do të ndërmarrë një fushatë për ta dëshmuar këtë me dokumenta.

“Së shpejti PDIU do ndërmarrë një fushatë me dokumenta të palës greke të padala ndonjëherë. Ligji i luftës me Shqipërinë nuk është abroguar ndonjëherë por qëndron në fuqi të plotë. Greqia e ka zgjidhur këtë gjë me Italinë, një pjesë të ligjit”.

Por cili është qëllimi pse mbahet ligji i luftës në fuqi? Sipas kreut të PDIU kjo lidhet edhe me çështjen  pronave.

“Gjëja e parë që të preokupon në këtë rast ka të bëjë shumë më tepër se me çështjen e pronave. Është e patolerueshme e papranueshme që ky ligj qëndron në këmbë midis dy fqinjëve midis dy anëtarëve.”

Shqetësuese për kreun e PDIU është edhe fakti që Greqia nuk distancohet nga vorio-epiri.

 “Nuk besoj se ka çështje më të rëndësishme që të akselerojë një ligj të tillë të rrezikshëm. Nuk e heq Greqia pa presionin tonë dhe të ndërkombëtarëve. Ne duhet ta prezantojmë këtë çështje sepse është një shoqëri e ndërtuar mbi basafonet e megalloidesë e mbarsur me idenë e vorio-epirit. Asnjë nga politika greke nuk distancohet nga çështja e vorio-epirit. Çdo diskutim me Greqinë, ligji i luftës duhet të jetë i pari”

Gjatë intervistës u ndal edhe te marrëveshja e Detit në 2009, të cilën e cilësoi të turpshme.

“Në 2009-2010 kur ne aspironim të bëheshim anëtar i NATo-s Greqia jo vetëm që vendosi veton po i kërkoi Shqipërisë të bënte marrëveshjen e ujërave. Një ambasador thoshte se Greqia për marrëveshjen i ka kërkuar Shqipërisë të mos informojë NATO, SHBA, BE. Kjo më shtyn të besoj se i ka bërë presion”.