Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka dhënë udhëzime qeverisë që të bëjë gjithçka për të rivendosur rendin në vend.
Të rinjtë zbresin çdo natë nëpër rrugë duke reaguar për vrasjen e 17-vjeçarit Nael M. nga policia në qytetin Nanterr.
Sipas lajmeve në mediat franceze, presidenti Macron për të diskutuar mbi situatën në vend u takua në pallatin Elysee me kryeministren Elisabeth Borne, ministrin e Brendshëm, Gerald Darmanin dhe ministra të tjerë.
Në takim Macron u ka dhënë ministrave udhëzim që të bëjnë gjithçka për rivendosjen e qetësisë dhe rendit në vend si dhe u ka kërkuar që të fillojnë një punim afatgjatë për të kuptuar se çfarë po ndodh në Francë.
Macron do të takohet sot në pallatin Elysee me Presidenten e Asamblesë Kombëtare, Yael Braun-Pivet dhe Presidentin e Senatit, Gerard Larcher, ndërsa më 4 korrik me kryetarët e 220 bashkive të janë prekur nga protestat.
Forcat e rendit kanë vendosur automjetet e blinduara në qendrën e qytetit Marsejë kundër mundësisë për rindezjen e protestave.
Po ashtu ekipet speciale të policisë janë në shërbim në Lion, ku protestat kanë kaluar të tensionuara në netët e mëparshme.
Sipas pamjeve të pasqyruara në median sociale, një grup protestuesish të ekstremit të djathtë kanë brohoritur në rrugët e Lionit me sloganin “Franca u përket francezëve”.