Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar në lidhje me deklaratën e kryeministrit Rama, i cili pohoi në Euroneës Albania se misioni i nismës Open Balkan ka përfunduar.

 

Përmes një postimi në facebook, Meta shkruan se tërheqja nga Ballkani I Hapur është një vendim shumë i vonuar.

 

Ai nënvizon se kjo nismë jo transparente i shërbente protagonizmit dhe dominimit të Serbisë në rajon në dëm të interesave shqiptare.

Postimi i plotë:

 

Tërheqja nga projekti përçarës dhe përjashtues i “Ballkanit të Hapur” është një vendim shumë i vonuar, që vetëm prodhoi kontradikta të forta mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe nuk solli asnjë rezultat tjetër.

 

Qysh në krye të herës, në vitit 2019, kur u prezantua si projekt me emërtesën “Mini-Shengeni Ballkanik” dhe në vijim, në mënyrë konsistente, gjatë ushtrimit të detyrës së Presidentit të Republikës dhe më pas, kam denoncuar se kjo nismë që ringjallte fantazmën e Jugosllavisë dhe të Millosheviçit, si dhe projektet ogurzeza të ndryshimit të kufijve ishte shumë rrezikshme për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon, nuk bazohej në rregullat, parimet, liritë dhe vlerat e Bashkimit Europian, dhe si e tillë kam paralajmëruar se nuk mund të ishte jetëgjatë.

 

Kjo nismë jotransparente dhe përçarëse që i shërbente protagonizmit dhe dominimit të një vendi në dëm të vendeve të tjera në rajon, si dhe të forcimit të autokracisë kundër demokracisë për interesa politike të ditës, vetëm efekte negative mund të kishte dhe të tilla pati.

 

Për shkak të këtyre qëndrimeve, që u pasuan nga një sërë sulmesh, akuzash dhe nismash kundër Institucionit të Presidentit, pohova në 12 shkurt të vitit 2022 se: “Nuk më duan President dhunuesit e të drejtave të shqiptarëve, kush synon ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe kush është pro ‘Ballkanit të Hapur’”.

 

Kjo deklaratë e imja vinte sepse isha i shumë i bindur dhe gjithmonë kam mbështetur në mënyrë të palëkundur “Procesin e Berlinit”, si një nismë gjithëpërfshirëse të përkrahur qartë nga të 6 vendet.

 

Kjo nismë ka dhënë rezultate konkrete, pasi jo vetëm shoqërohet me garancitë dhe mbështetjen financiare të BE, që ka ngritur edhe mekanizma zbatues dhe monitorues, por edhe sepse “Procesi i Berlinit” mbështet krijimin e një tregu të përbashkët rajonal të bazuar në katër liri, fuqizon procesin e zgjerimit, duke i përshtatur reformat e kërkuara me mbështetje financiare, krejtësisht ndryshe nga “Ballkani i Hapur”, që paraqitej thjesht si një alternativë paralele ndaj anëtarësimit në BE duke e tjetërsuar rajonin tonë në një komunitet politik hibrid.

 

Çdo proces që ka BE-në brenda saj përfaqëson vullnetin e vendeve tona.

 

Çdo proces që copëton BE-në përfaqëson frikën politike të liderëve autokratikë për humbjen e pushtetit të tyre dhe është i destinuar të dështojë siç ndodhi me “Ballkanin e Hapur”.

 

Vendimet e befta të njëanshme dhe të mbushura me propagandë dhe retorikë, në funksion të politikës së ditës dhe përfitimeve personale të çastit sjellin vetëm dëme të mëdha e afatgjata dhe fatkeqësisht Kryeministri dhe Qeveria e Shqipërisë e ka ndjekur këtë rrugë.

 

Ndaj duhet të bëjmë kujdes sepse vërtet misioni i “Ballkanit të Hapur” ka mbaruar, por jo i “Kalit të Trojës”.

 

Është jetike që Shqipëria dhe Kosova të jenë të bashkuara dhe në koordinim të plotë të qëndrimeve të tyre, duke tërhequr sa më shumë mbështetjen e BE, NATO-s dhe SHBA.

 

Vitalizimi i “Procesit të Berlinit” është vendimtar për arritje të reja të bashkëpunimit rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perendimor.

 

E ardhmja e rajonit tonë është te marrëveshjet e drejta, transparente, që konkretizojnë integrimin europian, i hapin rrugën fqinjësisë së mirë, ku asnjë fqinj nuk e dominon tjetrin dhe konsolidojnë arritjet e deritanishme në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon, ku Shqipëria dhe Kosova janë faktor kyç.