Ish-kryeministri, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat jashtë dyerve të parlamentit, është pyetur nga gazetarët edhe për ndarje e fondeve të fushatës elektorale nga KQZ, ku grupimi i tij nuk përfitoi asnjë lek.

 

Berisha e cilësoi të turpshëm që pjesën e parave që i takonin PD e mori grupimi i Enkelejd Alibeaj, ndërsa këta të fundit i cilësoi pengje të Edi Ramës.

 

Sa i takon grupimit të tij, Berisha tha se do financohet nga kontributet vullnetare të anëtarëve të saj, ndërsa shtoi se PD-në po e financon fryma e fitores.

 

“Një nga aktet më të turpshme, më të shëmtuara, është se mundi, djersa dhe taksat e 620 mijë qytetarëve që votuan PD-në, grabiten nga një grup pengje të Edi Ramës. Jo pak, por janë 2 milionë dollarë, 1 milionë dollarë është vetëm fushata. Përfaqësuesit e 620 mijë votuesve nuk marrin asnjë qindarkë. Kjo tregon fytyrën e shëmtuar të këtij regjimi. Kjo tregon keqpërdorimin e dyshes famëkeqe Alibasha-Brava. Por, asgjë nuk e pengon PD-në. Ajo do financohet nga kontributet vullnetare të anëtarëve të saj. Së shpejti do njoftojmë një rregullore për përballimin e fushatës. PD-në po e financon fryma e fitores. Ka një frymë fitoreje kudo që shkon”, tha Berisha.

 

Më tej Berisha theksoi:“Ju e shihni se Erion Veliaj ngarkon në furgona punonjës të policisë dhe përgatit takimet vetëm me punonjës të bashkisë. Edi Rama e hapi fushatën vetëm me nomenklaturën e tij të korruptuar, se edhe ai ka frikë nga qytetarët. Pra, janë në një dëshpërim të thellë. Forca politike e idealeve të lirisë, e transformimeve epokale të Shqipërisë është në një ngjitje vertikale. Janë të pashpresë”.