Banka e Shqipërisë publikoi sot raportin e treguesit të ndjesisë ekonomike, sipas të cilit ‘gjatë muajit qershor bizneset dhe konsumatorët rritën besimin në përmirësimin e ekonomisë me 0.8 pikë’.

 

Sipas BSH-së, rritjen e besimit në ekonomi e kryesoi sektori i industrisë, ndërtimit e tregtisë, si dhe përmirësimi i besimit konsumator.

 

Treguesi i besimit të industrisë u rrit me 1.2 pikë përqindje, i ndikuar pozitivisht nga vlerësimet optimiste për kontratat porositëse, kryesisht atyre të eksporteve. Ndërkohë, pritjet e bizneseve të industrisë për prodhimin dhe për punësimin në të ardhmen janë ulur. Pritjet e tyre për çmimet që do të vendosin në të ardhmen kanë vijuar prirjen rritëse të muajve të fundit.

 

Treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 2.2 pikë përqindje, duke shënuar nivelin më të lartë historik. Rritja këtë muaj u përcaktua si nga vlerësimet më të mira për aktivitetin aktual ndërtues, ashtu dhe për nivelin e porosive. Ndërkohë, si pritjet për punësimin, ashtu edhe ato për çmimet në të ardhmen shënuan rritje.

 

Edhe tregtia ka vijuar prirjen rritëse, me rreth 0.7 pikë përqindje, ndikuar kryesisht nga vlerësime shumë optimiste mbi ecurinë e punësimit në të ardhmen të biznesit.

 

I vetmi sektor i ekonomisë që ka regjistruar tkurrje të besimit kanë qenë shërbimet, ndonëse niveli qëndron rreth 27.5 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë duke shënuar një nga vlerat më të larta historike. Rënia e ecurisë aktuale të aktivitetit ka ndikuar në ngadalësimin e treguesit të besimit të sektorit përkatës. Ndërkohë, niveli i kërkesës ka regjistruar përmirësim. Pritjet e bizneseve për kërkesën dhe punësimin në të ardhmen janë pothuajse në të njëjtat nivele me aktualen. Pritjet e tyre për ecurinë e çmimeve në të ardhmen nuk kanë pësuar ndryshime të rëndësishme në krahasim me muajin e kaluar.

 

Ndërkohë, konsumatorët përmirësuan besimin në ekonomi, që u përcaktua nga vlerësimi më pozitiv i tyre për blerje në shuma të mëdha aktuale dhe në të ardhmen. Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve në të ardhmen janë rishikuar në rënie.

 

Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë thekson se gjendja financiare e bizneseve u përmirësua gjatë tremujorit të dytë të vitit 2023, në sektorin e industrisë, ndërtimit, shërbimeve dhe tregtisë.