Në një studim që mund të revolucionarizojë trajtimin e kancerit, studiuesit izraelitë arritën të ”nxitin” qelizat kancerogjene të kryejnë “vetëvrasje”.

 

Ekipi hulumtues i Universitetit të Tel Avivit, i udhëhequr nga profesor, Dan Peer dhe studentja e doktoraturës, Yasmin Granot Matok, kodoi një toksinë të prodhuar nga bakteret në molekulat e ARN-së (mRNA).

 

Këto grimca mRNA u dërguan drejtpërdrejt në qelizat e kancerit, duke nxitur qelizat të prodhojnë toksinën, e cila përfundimisht çoi në vdekjen e tyre.

 

Ndryshe nga trajtimi tradicional i kimioterapisë, toksinat nuk dëmtuan qelizat e afërta.

 

”Ideja jonë ishte të dërgonim molekula të sigurta mRNA, të koduara për një toksinë bakteriale direkt në qelizat e kancerit, duke i nxitur këto qeliza të prodhonin proteinën toksike, që më vonë do t’i vriste ato”, tha Peer.

 

Së pari, ekipi hulumtues kodoi informacionin gjenetik të proteinës toksike të prodhuar nga bakteret e familjes pseudomonas në molekulat mRNA, që i ngjan procedurës në të cilën informacioni gjenetik i proteinës ‘spike’ të COVID-19 u kodua në molekulat mRNA për të krijuar vaksinën e koronavirusit.

 

Molekulat mRNA u paketuan më pas në nanogrimca lipide për t’u shpërndarë në qelizat e kancerit.

 

Këto nanogrimca lipidike (LNP) u zhvilluan në laboratorin e Peer.

 

Për t’u siguruar që udhëzimet për prodhimin e toksinës të arrinin kancerin e synuar, nanogrimcat lipidike u mbuluan me antitrupa.

 

Molekulat u testuan duke i injektuar ato në tumoret e modeleve të kafshëve me kancer të lëkurës melanoma.

 

Studiuesit zbuluan se pas një injeksioni të vetëm, 44-60% e qelizave të kancerit u zhdukën.

 

“Për më tepër, qelizat e kancerit nuk mund të zhvillojnë rezistencë ndaj teknologjisë sonë siç ndodh shpesh me kimioterapinë, pasi ne gjithmonë mund të përdorim një toksinë të ndryshme natyrore”, tha Peer.