Gentian Bejtja dyshohet se ishte objektivi i atentatit që ndodhi mbrëmjen e djeshme në fshatin Larushk të Krujës, ku humbi jetën kunati i tij dhe u plagos i biri.

 

Policia bën me dije se rreth orës 12 pas mesnatës është qëlluar me kallashnikov ndaj pjestarëve të familjes së 42-vjeçarit Gentian Bejtja.

 

Për pasojë ka mbetur i vdekur kunati i tij Ramazan Sino dhe ka mbetur i plagosur i biri 18-vjeçar Alvi Bejtja.

 

Ndërkaq, pas atentatit, në Tapizë, rreth orës 00:40, është gjetur duke u djegur një automjet  tip “Volkswagen” që dyshohet se iu përket autorëve të ngjarjes.

 

Po kush është Gentian Bejtja i ka shpëtuar edhe 2 atentateve

 

Gentjan Bejtja, një ish-punonjës i policisë së burgjeve, njihet nga strukturat e policisë për backgroundin e tij kriminal dhe hasmërinë e krijuar me disa grupe kriminale të Fushë-Krujës me të cilët kishte qenë më parë në miqësi.

 

Kjo është hera e tretë që ai është objektiv i një atentati. Mbrëmjen e 9 Janarit 2022 ai u qëllua me armë zjarri së bashku me shtetasin Klodian Stafuka me të cilin po udhëtonte në makinë.

 

Ata u qëlluan pranë shkollës së fshatit Larushk në zonën e Fushë Krujës, ndërsa Bejtja mbeti i plagosur në krah.

 

Në shtator të vitit 2016, ndaj tij është organizuar një atentat me tritol. Bejtja po udhëtonte me makinën e tij tip “Tuareg”, me targë “AA 020 BH”, në fshatin Nikël të Krujës, kur nga poshtë mjetit shpërtheu eksplozivi që e dëmtoi rëndë në këmbë.

 

Ai arriti t’i shpëtonte atentatit për shkak të sasisë së vogël të eksplozivit të vendosur, çka më pas, hetuesit e cilësuan si një paralajmërim.

 

Gentjan Bejtja është hetuar edhe për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, pasi dyshohej që bashkë me Enver Stafukën,  ishin autorë të vjedhjes së makinës nga e cila u vra Lamaj, në shkurt 2013.