Përgjatë këtyre 32 viteve paga minimale në Shqipëri është ndryshuar 22 herë si pasojë e përshtatjes me zhvillimet ekonomike në nivel mikro dhe makro.

 

Që nga 1 Prilli 2023 në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.113, datë 1.3.2023 është sanksionuar në pikën një të këtij vendimi ndryshimi i pagës minimale në Shqipëri në nivelin 40 000 lekë, duke shënuar kështu një rritje me 17.6% nga niveli i mëparshëm prej 34 000 lekëve.

 

Ekspertja e ekonomisë Zana Guxholli tha në emisionin GoodMorning Albanians në Euronews Albania se efektet e pagës minimale nuk ndihen aspak te qytetarët.

 

 

Sipas saj, rritja e pagës duhet të bëhet që të mos jetë indeksim, pra rregullimi i pagave në përputhje me rritjen e çmimeve.

 

“Kjo pagë nuk përkthehet në mirëqenie. Pra jemi në paga kaq të ulëta, sa efekti nuk ndihet as në qytete të vogla. Që të mos jetë indeksim, pra rregullimi i pagës me rritjen e çmimeve, ne kemi pasur nga 2013 nja 7 vjet ngrirje page, pra ulje page se inflacioni edhe i vogël, ul pagën. Qeveria ka qenë borxhlie ndaj qytetarëve me mosrritjen e pagave në mënyrë progresive. Në qeverinë Berisha objektivi qendror u bë rritja e pagave, se ishim vendi me të ardhurat më të ulëta, që u shoqërua nga një rritje ekonomike shumë e madhe, dhe ishte rritje page e shëndetshme që nuk prekte buxhetin”, tha Guxholli.