Asnjë subjekt nuk mund të ofrojë shërbime si operator i turizmit detar ose të përdorë emërtimin “operator i turizmit detar”, nëse nuk është pajisur me certifikatë.
Kështu theksoi sot ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.
Kumbaro tha se “aplikimet janë të hapura për të gjitha subjektet që ofrojnë aktivitete lundrimi për qëllime turistike dhe argëtimi që nga skafet, motorët e ujit, ski në ujë dhe çdo lloj veprimtarie të ngjashme”.
Sipas këtij udhëzimi, subjekti, i cili kërkon të pajiset me certifikatën e operatorit të turizmit detar, për çdo aktivitet turistik detar ose/dhe për të gjitha aktivitetet, përveç respektimit të parashikimeve të ligjit nr.43/2020, duhet të plotësojë disa kritere si të jetë i pajisur me licencë XIII.1.B si operator turistik; kontratë për vendbanimin e mjeteve lundruese me një port, marinë apo një subjekt që zotëron një stacion sezonal ankorimi në Republikën e Shqipërisë; të ketë një plan menaxhimi të emergjencave, sipas karakteristikave të çdo lloji aktiviteti për zonën ku do të ofrojë shërbimin; të ketë në pronësi apo në përdorim mjete lundrimi turistike në gjendje teknike të përshtatshme për ushtrimin e aktiviteteve të turizmit detar, vërtetuar me certifikatën e pronësisë apo kontratë të lidhur mes palëve të noterizuar; të sigurojë përgjegjësitë ndaj palëve të treta në ujërat e detit të brendshëm dhe detit territorial të Republikës së Shqipërisë; të njohë dhe sigurojë zbatimin e Kodit të Etikës së Operatorit të Turizmit Detar, miratuar me urdhër ministri./ata