Në gjykatën e ekstradimeve në Londër është zhvilluar një seancë parapërgatitore e ekstradimit të  Thomas Mithan, Steven Hunt, Harriet Bridgeman dhe shqiptarit me pasaportë britanike Edmond Haxhia.

 

 

Ata kërkohen nga drejtësia shqiptare nën dyshimin e bashkëpunimit në vrasjen e  Ardian Nikulaj në 19 Prill 2023.

 

Gazetari Top Channel Muhamed Veliu ndoqi online këtë senancë.

 

Nga të katër të arrestuarit vetëm Edmond Haxhia preferoi ta ndjekë këtë seancë prezent në gjykatë.

 

Ndërsa, Harriet Bridgeman iu bashkua online nga shtëpia e saj.

 

Lewis Green avokati mbrojtës i Thomas Mithan, paralajmëroi se ai do të kërkojë sjelljen në gjykatë e  një raporti nga një ekspert i pavarur për kushtet e burgjeve në Shqipëri.

 

Të tillë raporte ekspertësh janë përdorur edhe në të shkuarën për të bllokuar por pa sukses, ekstradimet e shqiptarëve nga Anglia.

 

Gjykata e Lartë angleze Royal Court of Justice për këtë çështje është shprehur disa herë duke vendosur se “kushtet në burgjet shqiptare, përmbushin standardet për të ekstraduar nga territori Anglisë,  të kërkuarit nga drejtësia shqiptare”.

 

Gjykatësi Daniel Sternberg  vendosi vijimin e lirisë me kusht nën monitorimin elektronik për Bridgeman, ndërsa tre të bashkë-akuzuarit e tjerë do të vijojnë qëndrimin në paraburgim.

 

Po ashtu gjykatësi Sternberg kërkoi nga avokatët mbrojtës të dorëzojnë në gjykatë argumentat mbrojtës më 29 Gusht.

 

Ndërsa shteti shqiptarë kërkues i ekstradimit të këtyre personave, përmes përfaqësuesit nga Crown Prosecution Service, prokuroria angleze,  duhet të dorëzojë prapësimet ligjore më 10 Tetor.

 

Me realizimin nga palët të këtyre urdhëresave të gjykatësit Daniel Sternberg  i hapet rruga shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë në mesin e Nëntorit.

 

Qëndron ende  në arrati britaniku tjetër Harry Simpson person me Kartelë të Kuqe Interpoli pasi një urdhër arresti nga Policia Shqiptare.

 

Sakaq në Marok është arrestuar pasi ishte i shpallur në kërkim nga Interpoli Ruben Saraiva njeriu që sipas policisë shqiptare është autori vrasjes në Shëngjin të Ardian Nikulajt. Edhe ndaj tij kanë nisur procedurat e ekstradimit.