Banka e Shqipërisë miratoi strategjinë afatmesme të zhvillimit 2024-2026.

Përmes kësaj strategjie, Banka Qendrore parashikon të vlerësojë efektivitetin e gamës së instrumenteve në dispozicion, me synim përdorimin e tyre për arritjen e objektivit të inflacionit.

Në kushtet e zhvillimeve aktuale, Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e fleksibilitetit në përdorimin e instrumenteve mundëson adresimin e sfidave të reja me përqasjet e duhura, duke ndihmuar në funksion të përmbushjes së objektivave të politikës monetare dhe inflacionit.

Gjithashtu në këtë strategji parashtrohen objektiva për: Përmirësimin e administrimit fizik të vlerave monetare; Diversifikimin e instrumenteve të investimit; Përafrimin metodologjik me standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin evropian; Administrimi i integruar i të dhënave; Rritja e kapacitetit dhe dobishmërisë së projekteve kërkimore; Modernizimi dhe siguria e teknologjisë së informacionit; Forcimi i rolit të Sistemit të Kontrollit të Brendshëm në përmbushjen e objektivave ligjorë dhe respektimin e politikave të drejtimit.

Strategjia shërben gjithashtu si një kornizë e përgjithshme dhe udhëzues për përgatitjen e tre viteve të buxhetit, duke përdorur qasjen e menaxhimit të bazuar në rezultate./ata